Qindra punëtorë të KEK-ut protestuan të premten para zyrave qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës, duke kërkuar rritjen e pagave.
Të organizuar nga Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës, ata akuzuan bordin ekzekutiv të KEK-ut dhe menaxhmentin se po i mashtrojnë punëtorët e kësaj korporate.
Kryetari i kësaj sindikate, Nexhat Lluminca tha se do të jenë të vendosur në kërkesat e tyre, andaj paralajmëroi edhe greva.
“Qeveria e Kosovës të ndikojë tek bordi i dobët i tij dhe menaxhmenti i KEK-ut që të rrisë pagën e punëtorëve më të merituar në Kosovë, të dritës dhe shërbimit jetik të Kosovës. Të rritet shujta e ushqimit pasi është hajgare me thënë se dikush e ka një shujtën e ushqimit 1.74 centë në inflacionin që po ndodhë. Të nderuar punëmarrës ne me juve do të jemi të vendosur dhe nuk do të lëshojmë pe në këtë drejtim. Por, edhe një gjë po iu them se nuk do t’ia plotësojmë dëshirat që të bëjnë biznese me prodhimin e energjisë elektrike. Nuk do t’ia plotësojmë këtë dëshirë asnjëherë. Ne jemi duke menduar se disa individ, apo bordi i KEK-ut po dëshiron të na imponojë grevën, e cila nuk do të anashkalohet asnjëherë”, tha ai.
Në anën tjetër, nënkryetari i Sindikatës së KEK-ut, Selatin Sadiku akuzoi kryeshefin e pezulluar të KEK, Nagip Krasniqi, i cili është në paraburgim për dyshime për keqpërdorime në KEK se ka gënjyer punëtorët për rritje të pagave, por, siç tha edhe ka vjedhur.
“Nëse dikush nuk mendon se Nagip Krasniqit nuk ia kemi pa hajrin për 1 vit e gjysmë gabon. Nagip Krasniqi është ai që i bashkojë krejt punëtorët e korporatës dhe dy sindikatat që tash janë bashkë. Me datën 3 prill, menaxhmeti dhe bordi na ka rrejt me një komunikatë për ngritje të pagave, kinse merret vendimi për rritje të pagave. Le që na kanë rrejt por edhe na kanë vjedh. Kështu që hajnat në burg”, shtoi Sadiku.
Ndërkaq, sindikalisti tjetër, Avni Grajqevci tha se dy sindikatat e KEK-ut do të jenë unike në kërkesat e tyre për rritje të pagave dhe rritje të shujtës ushqimore.
“Jemi unik sa i përket kërkesës sonë dhe ajo është legjitime, ngritja e pagës”, theksoi ai.
Krahas kësaj, punëtorët e KEK-ut marshuan edhe deri te objekti i Qeverisë së Kosovës për t’i paraqitur kërkesat e tyre.