Sindikatat e Hekurudhave të Kosovës kanë shpallur grevë dyditore pas mungesës së marrëveshjes me punëdhënësin për kërkesën e tyre për rritje pagash, të cilat, sipas tyre, nuk janë ndryshuar që prej 15 vitesh.
Në njoftimin drejtuar mediave, sindikata e cilëson këtë si masë të detyruar për të ushtruar presion ndaj autoriteteve përgjegjëse, me qëllim përmbushjen e kërkesave të punonjësve.
“Më 12 dhe 13 qershor 2025, nuk do të qarkullojë asnjë tren në territorin e Republikës së Kosovës,” thuhet në njoftim.
Trenat do të rifillojnë punën të shtunën dhe të dielën, më 14 dhe 15 qershor, me përjashtim të linjës Prishtinë–Pejë, e cila do të vazhdojë të operojë edhe gjatë ditëve të grevës.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Hekurudhës së Kosovës, Hysen Nikçi, ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe u ka bërë thirrje institucioneve që të ofrojnë një zgjidhje të menjëhershme dhe të qëndrueshme.