Punëtorët e Amazonit në 20 vende – përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, dhe disa vende të tjera të Bashkimit Evropian – po planifikojnë të protestojnë dhe të ndalojnë punën sot – që njihet edhe si ‘Black Friday’. Kjo ditë është ndër më të ngarkuarat për kompaninë Amazon.
Grupi “Make Amazon Pay” thotë se kjo kompani fiton shumë, por jep shumë pak. Ajo mbështetet nga një koalicion i grupeve të punës, sindikatave, fushatave bazë dhe organizatave jofitimprurëse në vende të veçanta.
Shumë punonjës do të punojnë sot, por një pjesë e madhe e tyre do të organizojnë protesta në ndërtesat e Amazon në Coalville, Leicestershire, Coventry, Peterborough dhe në selinë e saj në Londër.
Grevë kishte edhe në vende tjera. Në Gjermani, përshembull, sindikata Verdi u bëri thirrje punonjësve të protestojnë, duke filluar që nga e mërkura mbrëma./UBTNews