UBT News

Puna e stafit dhe aktivitetet e banorëve: Si funksionon dhe vepron “Shtëpia e të moshuarve në Prishtinë”?

Të enjten me datë 27.04.2023 UBT News vizitoi Shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë. Vizita shërbeu si një mundësi për të parë dhe mësuar lidhur me jetën dhe botën e vetë institucionit dhe personave të cilët janë pjesë e tij. UBT u mirëprit nga punëtorët social të cilët i drejtuan te banorët, ku ata ndanë përvojat e tyre në këtë shtëpi.

Shehnaze Salihu, 80-vjeçe gjithmonë vije herët në dhomën e ndenjes dhe ulet për të shijuar mëngjesin me mikeshat e saj. Me gëzim dhe entuziazëm ajo filloi dhe tregoi për të kaluarën e saj dhe më pas për ngjarjet kryesore të cilat e sollën në këtë shtëpi.

“Para dhjetë vitesh erdha në këtë institucion dhe me datën 5 prill të këtij viti festova 80-vjetorin e lindjes, jeta ime ndryshoi kur vëllau im shkoi në Beograd ku pas këtij rasti patjetër u detyrova të gjeja veten dhe të kërkoja strehim meqënëse që nuk kam fëmijë. Jam shumë e kënaqur me atë çfarë ofrojnë, shëndetësia është shumë e mirë dhe gjithmonë pyesin si e kemi gjendjen, përgjithësisht na dhurojnë tabletat dhe ilaçet e duhura, por me raste nëse nuk ka duhet që ne t’i blejmë”, deklaroi ajo.

Salihu vlerësoi sjelljen e duhur të punëtorëve social si dhe banorëve me të cilët shoqërohet.

“Jemi si një familje, kemi ushqimet e duhura, veshjet dhe nevojat personale të cilat nuk kanë qenë kështu në të kaluarën”.

Me vlerësimin pozitiv të Shehnazes ajo vazhdoi duke dhuruar këshilla për të rinjtë ku theksoi se dashuria, respekti dhe mirësia ndaj prindërve, të tjerëve dhe vetes janë ato që dëshiron t’i shohë te dikush në moshë të re.

“Do të ju thosha të rinjve të kenë durim dhe gjithashtu respekt për prindërit dhe të mos përpiqen që menjëherë t’i largojnë pasi rriten. Shkollimi dhe durimi janë gjërat më të rëndësishme. Unë në ato kohë punova si rrobaqepëse dhe ndihmova familjen time pasi nuk kishte shumë për të bërë, veçanërisht gjatë luftës. Por sot njerëzit respektohen më pak dhe kjo duhet të rikthehet sërish”, u shpreh ajo.

Një tjetër grua e cila ka gjetur strehim në këtë shtëpi dhe dëshiroi të fliste më gjerësisht për jetën e saj ishte edhe Xhevrije Sylejmani. Ajo tregoi për fillimin e qëndrimit të saj, si i përjetoi momentet e para, reagimet e familjes dhe gjendjen e objektit.

“Në këtë shtëpi erdha gati para 8 vitesh, me datë 20 korrik shënoi 8-vjetorin e qëndrimit tim. Pasi bashkëshorti im vdiq unë erdha këtu por vëllau dhe motra nuk e kishin idenë që unë isha larguar deri sa ju tregova. Fillimisht vendi nuk më pëlqeu dhe desha të largohesha për t’u kthyer në shtëpinë time, por nuk kisha transport, ndihmë mjekësore dhe doktor”, filloi ajo.

“Pas përfundimit të luftës dhe deri vonë objekti nuk ishte renovuar, kishte vrima në mure dhe pajisjet nuk ishin të duhura, toka ishte me dhe por më pas fatmirësisht ajo u rregullua dhe është mirë”, sqaroi Sylejmani.

Diçka e cila vërehet në shikim të parë është se banorët pëlqejnë të qepin, merren me triko dhe vizatojnë, ku prioritet kanë veshjet kulturore dhe vizatimet me ngjyra të lehta.

Xhevrije Sylejmani pëlqen të vizatojë gjëra të ndryshme të cilat ia kujtojnë kohën kur ishte më e re. Ajo në murin ku qëndrojnë vizatimet, ka paraqitur lulen e diellit si simbol i kohës kur ajo bridhte fushat në fshatin e saj.




Një vizatim nga znj.Xhevrije Sylejmani i lules së diellit

Nefise Rushiti duke qepur me spango blu tregoi për pëlqimin dhe gëzimin që qepja i dhuron.

“Punoj dhe qep jelekë, bluza dhe qorape. Kam gjetur një nip dhe po i bëj një dhuratë”, tha ajo.

Një tjetër tha me shaka se ne luajmë me këto gjëra për të kaluar kohën.


 Koleksioni i rrobave popullore të qepura nga banorët. Veshja kombëtare me ngjyrë të bardhë, kuqe dhe verdhë (fotografuar në mes)

Pas banorëve radha ishte për Raze Aliçkaj, drejtoreshës në “Shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë”. Ajo tregoi numrin e banorëve të cilët institucioni i strehon si dhe ndihmat të cilat ia ofron.

“Kemi 62 banorë, 37 janë gra dhe 25 burra. 18 duhet të kenë kujdes të plotë për të ndihmuar në lëvizje, ndërkohë që pjesa tjetër janë gjysmë të lëvizshëm ose plotësisht të lëvizshëm”.

Në intervistat e zhvilluara UBT News mësoi se “Agrogroup” pikërisht me këtë datë zhvilloi një proces plantacioni ku solli lule dhe bimë të cilat do të mbillen në ditët vijuese për pjesën e shtëpisë lidhur me banorët dhe stafin e përgjithshëm, ndërkohë që pjesëtarët e stafit gjithashtu treguan se një studente nga “Universiteti i Prishtinës” pagoi vullnetarisht për një vit lidhjen e rrjetit dhe mundësinë e internetit për banorët.

Vazo me lule të dhuruara nga Agrogroup në sallonin kryesor të objektit ku banorët qëndrojnë

Banorët në fund treguan edhe kërkesat që kanë dhe thanë se duke pasur parasysh kushtet e duhura, vlerësojnë përmirësimet të cilat mund të bëhen dhe ende ka nevojë për to në këtë qendër lidhur me repartin e kuzhinës dhe gjithashtu shprehën dëshirë për eliminimin e disa mosmarrëveshjeve që ndodhin nganjëherë.

Florie Hoti dhe Ulis Hamiti, studentë të Fakuletit Media dhe Komunikim

Exit mobile version