Është shpallur një konkurs për punën e fluturimit mbi biodiversitetin e Zelandës së Re me helikopter në kërkim të individëve të rrezikuar të zogut kiwi. Edhe pse duket si një punë ëndrrash, autoritetet janë të dëshpëruar për kandidatët.
Departamenti i Ruajtjes së Mjedisit në qytetin Hast në anën perëndimore të Parkut Kombëtar Mount Aspiring deri më tani ka marrë vetëm tri aplikime për punën e monitorimit të biodiversitetit, tha menaxheri Wayne Costello.
“Qëllimi kryesor është të drejtosh ekipin përgjegjës për shpëtimin e specieve të kivit që është më e rralla në Zelandën e Re, që është tokoeka Haast”, shpjegon Costello.
Përshkrimi i punës së kandidatit thotë se ata duhet të eksplorojnë peizazhe spektakolare dhe të kujdesen për popullatën e shpendëve të kiwit – zogu pa fluturim i Zelandës së Re.
“Bregu Perëndimor është një ëndërr e realizuar për adhuruesit e natyrës”, thekson Costello.
Megjithatë, ai pranon se “bukuria e jashtëzakonshme” e maleve imponuese rreth Hastit dhe në të gjithë rajonin nuk mjafton për shumë kandidatë.
“Është një zonë e izoluar”, pranon ai. Duhen dy orë për të shkuar në supermarketin më të afërt dhe katër orë për në spital me makinë.
Përveç kësaj, vetë kiwi është një zog i ndrojtur dhe “shumë nervoz”. Popullsia e kësaj specie llogaritet në rreth 500 individë dhe nuk është e lehtë t’i gjesh ato.
“Për të arritur në disa vende duhet të shkosh me skaf, shpesh me helikopter, sepse ajo zonë është mjaft e largët dhe e paarritshme”.
Por Costello nuk i humb shpresat pavarësisht mungesës së interesit, ndaj ministria do të shtyjë edhe për tre javë afatin e paraqitjes së kandidaturave.