Veshët njëjtë si sytë janë ndër pjesët më të rëndësishme të trupit. Mjafton që njëri prej tyre të dhembë e ndjesia është e padurueshme e stresuese për të gjithë organizmin.
Gjatë jetës njerëzit mund t’i përjetojnë këto dhimbje e sidomos në mosha të vogla, është vënë re edhe një tjetër lloj gjendje që krijohet tek veshët.
Quhet pulsimi, zhurma apo tringëllima e veshit, shpesh njerëzit ankohen se veshët zhurmojnë vazhdimisht, duke mos e kuptuar shkakun e kësaj gjendje.
Përse ndodh dhe si mund ta largoni lehtë?
Nëse ju pulson njëri apo të dy veshët shkaqet me shumë gjasë janë të njëjtat e fshihen thellë në organizmin tuaj, kjo gjendje vazhdon me ditë e muaj të tërë e madje kthehet në një stres të vazhdueshëm. Intensiteti më i madh i zhurmës ndihet kur shtriheni për të fjetur.
Arsyet kryesore se përse kjo gjendje zhvillohet fillojnë që nga presioni i lartë i gjakut, problemet me venat, anemia apo arterioskleroza.
Problemet me enët apo venat e gjakut mund të prekin shumë njerëz duke bërë që qarkullimi i gjakut të mos jetë i mirë.
Kështu venat që kalojnë pranë veshit dhe çojnë gjakun në tru, krijojnë zhurmë për shkak se mund të jenë të dëmtuara ose me probleme.
Presioni i lartë i gjakut ose tensioni i lartë është një tjetër arsye.
Kur gjaku lëviz me shpejtësi, zhurma do të jetë e pranishme. Kjo mund të vijë nga sëmundje të ndryshme që shkaktojnë hipertension ose gjatë periudhave të stresit, abuzimit me alkoolin apo kafeinën. Anemia ose tiroidja hiperaktive bëjnë që gjaku të lëvizë shpejt në trup, duke shkaktuar zhurma tek venat që kalojnë pranë veshëve tuaj.
Arterioskleroza njihet si sëmundja që i bllokon arteriet dhe enët e gjakut duke i bërë ato më pak fleksibël, gjaku që kalon tek veshi i mesit, lëviz me vështirësi dhe me forcë duke bërë që të ndjeni zhurmë tek të dy veshët. Një tjetër arsye mund të jenë edhe tumoret e kokës apo të qafës.
Efektet anësore
Pulsimi apo tringëllimi i veshëve mund të kthehet në një problem të vërtetë për këdo që e përjeton, pasi mund të shkaktojë një sërë efektesh tjera anësore.
Duke filluar nga dhimbja e kokës, marramendja, të përzierat, stres, probleme me shikimin apo humbje të dëgjimit.
Si ta ndaloni?
Nëse kjo zhurmë e fortë dhe vazhdon për javë e muaj me radhë duhet të konsultoheni me një specialist, sepse nën këtë rrahje të veshit mund të fshihen një sërë sëmundjesh të tjera. Mundohuni të gjeni shkakun në mënyrë që zhurma të pushojë gradualisht.
Gjithashtu kur shtriheni për të fjetur mundohuni që të fokusoheni tek një zhurmë tjetër e jashtme.
Mjekët sugjerojnë disa makineri të posaçme, të cilat përdoren për të gjeneruar një zhurmë të lehtë në dhomën tuaj, në mënyrë që të harroni zhurmën e veshit