Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka publikuar sot përmbledhjen pulsit publik të kryer në nëntor të vitit të kaluar, ku theksohet se niveli i kënaqshmërisë me performancën e Qeverisë kapi vlerën prej 41% dhe me punën e kryeministrit 44.9%. E derisa kënaqshmëria me punën e Kuvendit është 39.1%, niveli i kënaqshmërisë me Presidenten ishte në 56.8%.
Sipas intervistave të qytetarëve, ulje të dukshme pati në shkallën e kënaqshmërisë me Gjykatat dhe Zyrën e Kryeprokurorit, në 24.4% dhe 22% përkatësisht, krahasuar me prillin e vitit 2022.
UNDP njofton se anketa e opinionit të Pulsit Publik bazuar në intervistat e kryera në nëntor 2022 përshkruan gjetjet mbi dhjetë treguesit kryesorë që mbulojnë çështjet socio-ekonomike, mjedisore dhe politike.
“Si tek të gjitha publikimet e mëparshme, të dhënat dhe treguesit janë zbërthyer sipas përkatësisë etnike dhe gjinisë në mënyrë që të sigurohen informata të detajuara mbi dallimet në perceptimet për sfidat zhvillimore me të cilat përballen qytetarët në Kosovë. Në vijim janë disa nga gjetjet kryesore:• Pulsi Publik 23 regjistron një ulje si në Indeksin e Demokratizimit (ID) ashtu edhe në Indeksin e Besueshmërisë Ekonomike (IBE). ID-ja aktuale shënon ulje të lehtë prej 0.14 pikë (1.52) krahasuar me prillin 2022 kur kjo vlerë ishte 1.66 pikë. Sidoqoftë, kjo shifër (1.52) sugjeron se më shumë se gjysma e qytetarëve në Kosovë kanë pikëpamje pozitive për proceset demokratike në Kosovë. Në mënyrë të ngjashme, IBE-ja është ulur për 0.12 pikë krahasuar me prillin 2022.• Gjithsej 69% e të anketuarve besojnë se zgjedhjet në Kosovë janë demokratike dhe sipas standardeve ndërkombëtare. Ky ishte komponenti më i vlerësuar i ID-së.
• Niveli i kënaqshmërisë me performancën e kabinetit ekzekutiv kapi vlerën prej 41% dhe me punën e Kryeministrit prej 44.9%,
• Kënaqshmëria me punën e Kuvendit kapi vlerën prej 39.1%, kurse kënaqshmëria me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës ishte 50.8%.
• Anketa e nëntorit 2022 tregon që niveli i kënaqshmërisë me Presidenten ishte në 56.8%.• Ulje të dukshme pati në shkallën e kënaqshmërisë me Gjykatat dhe Zyrën e Kryeprokurorit, në 24.4% dhe 22% përkatësisht, krahasuar me prillin e vitit 2022.
• Një numër dukshëm më i ulët i të anketuarve ishin të gatshëm të protestojnë për arsye politike në nëntor 2022 (24.2%) sesa në prill 2022 (37.6%). Ky është numri më i ulët i të anketuarve të gatshëm të protestojnë për arsye politike i regjistruar ndonjëherë nga Pulsi Publik.
• Papunësia (29.9%), varfëria (21%) dhe çmimet e furnizimeve esenciale (17.4%) u perceptuan si tri problemet kryesore në Kosovë nga të anketuarit kur u kërkua nga ta të zgjidhnin tri çështjet më problematike.
• Gjithsej 31.2% e të anketuarve besojnë se vota e tyre mund të sjellë ndryshime. 69% e të anketuarve do të votonin, nëse zgjedhjet qendrore do të zhvilloheshin së shpejti.
• 8.9% e të anketuarve thanë se dinë shumë për sa i përket të drejtës për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm, 26.2% pohuan se kanë njohuri mesatare, kurse 46.1% e të anketuarve thanë se dinë pak për këtë temë. Gjithsej 18.8% thanë se nuk kanë njohuri për këtë temë.
• Gjetjet tregojnë që 80.4% të të anketuarve ndihen të sigurt kur janë jashtë në rrugë, në aspektin e dhunës dhe krimit potencial. Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë treguan se meshkujt (81.1%) ndihen më të sigurt kur janë jashtë sesa femrat (79.8%)”, thuhet në raport.