UBT News

Publikohet traileri i filmit biografik për Michael Jackson

Është publikuar traileri i parë i filmit biografik “Michael”, i cili tregon jetën e mbretit të popit dhe ka ngjallur debat që nga fillimi i projektit.

Në rolin kryesor do të jetë nipi i tij, Jaafar Jackson, ndërsa Colman Domingo, i nominuar për Oscar, luan babanë e tij, Joe Jackson. Në kast përfshihen edhe aktorë si Miles Teller, Nia Long dhe Laura Harrier.

Filmi është realizuar nga regjisori Antoine Fuqua, i njohur për aksionet Training Day dhe The Equalizer, me skenar nga John Logan, i nominuar për Oscar për Gladiator dhe The Aviator.

Xhirimet përfunduan në maj 2024, dhe publikimi, i planifikuar fillimisht për prill 2025, u shty për prill 2026 pas rixhirimeve. Traileri tregon se filmi do të shfaqet si një tërësi dhe jo në dy pjesë, siç ishte raportuar më parë.

Producenti Graham King ka deklaruar se qëllimi është të tregojë jetën e Michael pa paragjykime, por edhe duke ruajtur kompleksitetin e tij:

“Dua ta humanizoj, por jo ta pastroj. Historia më bindëse dhe e paanshme duhet t’i lejojë shikuesit të vendosin vetë si të ndihen”.

Megjithatë, projekti ka marrë kritika. Dokumentari i vitit 2019 Leaving Neverland risolli në fokus akuzat për sulme seksuale ndaj Jackson, dhe regjisori Dan Reed ka kritikuar filmin “Michael” si të pasinqertë, duke thënë se skenari minimizon pretendimet e dy akuzuesve.

Colman Domingo ka deklaruar se familja e Jacksonit e ka përqafuar projektin, por Paris Jackson ka mohuar këtë në Instagram, duke thënë se nuk ka pasur përfshirje në xhirime dhe ka dhënë vërejtjet e saj për skenarin.

Ajo shtoi se filmi i drejtohet një pjese të fansave që ende jetojnë në fantazi.

Filmi “Michael”, me buxhet prej 155 milionë dollarësh, pritet të dalë në kinema në prill 2026, pas dështimit të filmit biografik të Bruce Springsteen, i cili ka fituar vetëm 31 milionë dollarë muajin e kaluar. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version