UBT News

Publikohet studimi i studentëve dhe profesorëve të UBT-së për ankthin stomatologjik tek studentët në revistën shkencore të Odës së Stomatologëve të Kosovës

Një grup studentësh të Fakultetit të Stomatologjisë në UBT, në bashkëpunim me Prof. Ass. Dr. Jeta Kiseri Kubati, kanë publikuar me sukses një hulumtim të rëndësishëm në revistën shkencore të Odës së Stomatologëve të Kosovës (OSK), në numrin 4 të saj.

Studimi, me titull “Perceptimi i ankthit stomatologjik te studentët e Kolegjit UBT në Prishtinë”, ofron një vështrim të thelluar mbi përjetimet emocionale të studentëve përballë trajtimeve dentare dhe shkaqet kryesore të ankthit në këtë kontekst.

Hulumtimi u realizua përmes një ankete të dërguar me email, që përfshinte 17 pyetje dhe u plotësua nga 120 studentë të programeve të ndryshme në UBT, përfshirë stomatologjinë, farmacinë, ekonominë, arkitekturën, shkencat kompjuterike dhe të tjera.

Studimi arrin në përfundimin se komunikimi ndërmjet dentistit dhe pacientit, si dhe përdorimi i metodave të qasjes së ndjeshme, janë çelësi për reduktimin e frikës dhe përmirësimin e përvojës dentare.

Ky publikim është një kontribut i rëndësishëm akademik dhe profesional, që jo vetëm pasuron literaturën shkencore të fushës së stomatologjisë në Kosovë, por edhe fuqizon rolin kërkimor të studentëve të UBT-së në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Autorë të studimit janë: Yllka Rugova, Festina Bala, Rudina Kurteshi, Delvina Panxhaj dhe Jeta Kiseri Kubati. Ky është një tjetër dëshmi se në UBT, edukimi shoqërohet me kërkim, ndërsa teoria lidhet drejtpërdrejt me praktikën dhe inovacionin në shërbim të pacientit dhe shëndetit publik.

Exit mobile version