Një studim i detajuar mbi inspektimin, vlerësimin dhe strategjitë për përforcimin e Urës 94R, që ndodhet në aksin rrugor Prishtinë – Bllacë, në rrugën nacionale N2, është publikuar në SSRG International Journal of Civil Engineering (IJCE), një revistë prestigjioze e indeksuar në SCOPUS.
Autori i punimit, profesori Naser Morina nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, ka kryer një analizë të detajuar mbi gjendjen aktuale të urës, performancën e materialeve të përdorura dhe nevojat për ndërhyrje rehabilituese.
Studimi është një përpjekje ndërdisiplinore që kombinon analiza historike të dokumentacionit të projektimit dhe ndërtimit, inspektimet në terren me metoda jo-destruktive, dhe simulimet strukturore me modelim numerik për të vlerësuar shpërndarjen e sforcimeve dhe zonat e mundshme të degradimit.
Rezultatet kryesore të studimit përfshijnë, “gjendjen e materialeve”, ku mostrat e analizuara tregojnë një rezistencë të lartë ndaj shtypjes, por gjithashtu janë vërejtur prani të karbonizimit dhe depërtimi i klorideve, që mund të ndikojnë në jetën e strukturës.
Pastaj “integriteti strukturor”, simulimet me metodën FEM (Metoda e Elementeve Fundorë) tregojnë se ura ka kapacitet të mjaftueshëm për të përballuar ngarkesat aktuale. Megjithatë, analizat e lodhjes sugjerojnë prani të çarjeve të vogla për shkak të stresit të përsëritur nga trafiku. Dhe “nevojat për mirëmbajtje”, ku për të siguruar jetëgjatësi dhe siguri të lartë, rekomandohet injektimi i çarjeve dhe riveshja e platformës.
Ura 94R mbetet e qëndrueshme nga pikëpamja strukturore, por kërkon ndërhyrje të synuara për mirëmbajtje dhe rehabilitim. Profesori Morina rekomandon që për të garantuar sigurinë dhe funksionalitetin e saj afatgjatë, të bëhet një monitorim i rregullt dhe një plan proaktiv i ndërhyrjeve teknike për të parandaluar dëmtimet më të mëdha dhe për të siguruar vazhdimësinë e funksionimit të urës./UBTNews/