U publikua studimi i përbashkët i profesorëve të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë në UBT, Prof. Dr. Avni H. Alidemaj dhe Prof. Dr. Alban Maliqi, një studim i rëndësishëm me temën “Enhancing Minority Rights in Kosovo and the Balkans: Legal Avenues to Inclusion” – Fuqizimi i të drejtave të pakicave në Kosovë dhe Ballkan: Rrugët ligjore drejt përfshirjes.
Studimi është botuar në një nga revistat shkencore më të mira në Indonezi, e indeksuar në SCOPUS (Q 2), një nga platformat më prestigjioze për hulumtime shkencore.
Studimi i profesorëve të UBT-së trajton sfidat me të cilat përballen shoqëritë shumëetnike të rajonit, duke u fokusuar në të drejtat dhe liritë themelore të pakicave, që shpesh mund të çojnë në përshkallëzimin e konflikteve dhe ndërhyrjen e shteteve të tjera. Autorët e punimit theksojnë rëndësinë e një kornize ligjore të fortë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, duke u mundësuar atyre pjesëmarrje aktive në proceset vendimmarrëse dhe duke siguruar përfshirjen e tyre në shoqërinë dhe zhvillimin politik.
Një aspekt i rëndësishëm i studimit është krahasimi i Kosovës me shtetet e tjera të Ballkanit në lidhje me fuqizimin e të drejtave të pakicave. Studimi analizon praktikat më të mira ligjore dhe mundësitë për të avancuar statusin dhe pjesëmarrjen e pakicave, duke mbështetur proceset e integrimit dhe të kohezionit social. Sipas autorëve, Kosova ka një kornizë ligjore për mbrojtjen e të drejtave të pakicave që është më përparimtare dhe më gjithëpërfshirëse sesa shumë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ky studim është një shembull tjetër i angazhimit të UBT-së për të kontribuar në avancimin e hulumtimeve shkencore dhe për të ofruar analiza të thelluara për çështje kyçe që ndihmojnë në zhvillimin e shoqërive shumëetnike dhe të drejtave të njeriut. Ai shërben si një burim i vlefshëm për të gjithë ata që merren me politikën e komuniteteve, të drejtat e njeriut dhe studimet e integrimit në rajon dhe më gjerë./UBTNews/