Profesori i gazetarisë në UBT, Safet Zejnullahu ka publikuar këto ditë librin e tij të ri, të titulluar “Nocionet e Gazetarisë”.
Libri shpjegon nocionet që i hyjnë në punë profesionistëve të gazetarisë, me theks nocionet që lidhen konkretisht me median, por edhe nocionet që një gazetar duhet t’i dijë nga një fushë e caktuar.
Sipas profesorit Zejnullahu, libri “Nocionet e Gazetarisë” u dedikohet specifikisht studentëve të rinj të gazetarisë.
“Libri do t’u shërbejë studentëve të gazetarisë, por edhe gazetarëve rishtarë e të tjerëve, si një përkujtues dhe udhëzues, fillimisht për nocionet e pastaj edhe për ngjarjet e rëndësishme, institucionet kryesore, burimet e domosdoshme për hulumtim e të dhëna të tjera, që një profesionisti të medias i ndihmojnë të jetë i përgjegjshëm dhe profesionalë në punën e tij”, tha ai.
Ai tha se synim i librit është plotësimi i boshllëkut të informatave të përgjithshme të profesionistët e rinj dhe futja e tyre në rrjedhat profesionale, duke pasur një bazament dijeje dhe të dhënash, pa të cilat një profesionist nuk mund ta kryejë punën e tij.
Libri është fryt i punës së tij mbi 30-vjeçare në gazetari dhe angazhimit rreth 20-vjeçar në mësimdhënie.
Botues të librit janë UBT dhe Botimet Artini, dhe libri do të prezantohet fillimisht në Panairin e Librit në Tiranë.
Pas librave “Shkrimi dhe Komunikimi” (2014), “Lajmi në kohë lufte dhe krize” (2017) dhe “Shkathtësitë e shkrimit” (2019), ky është libri i tij i katërt shkencor.