Profesorët e Shkencave Politike në UBT, Alfred Marleku dhe Ridvan Peshkopia, kanë realizuar një studim të rëndësishëm në fushën e arsimit të lartë, i cili është botuar në revistën e njohur akademike Taylor and Francis. Studimi shqyrton preferencat e studentëve për format e ndryshme të mësimdhënies: online, tradicional dhe të përziera, duke ofruar një analizë të thelluar të ndikimeve që kanë këto metoda në procesin mësimor.
Pandemia e Covid-19 ka sjellë një rritje të konsiderueshme të mësimit online dhe ka sfiduar metodat tradicionale të mësimdhënies. Ky studim ka analizuar faktorët që ndikojnë në preferencat e studentëve, duke përfshirë njohuritë kompjuterike, orientimet filozofike dhe përvojat kërkimore, të cilat janë të lidhura ngushtësisht me mënyrën se si ata zgjedhin të mësojnë.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i këtij hulumtimi është analiza e përvojave kërkimore të studentëve. Studimi tregon se përvoja pozitive ose negative me format e ndryshme të mësimit mund të ndikoj ndjeshëm në preferencat e studentëve. Për shembull, ata që kanë pasur më pak eksperienca pozitive me bashkëpunimin dhe ndërveprimin me kolegët mund të jenë më skeptikë ndaj mësimit që kërkon angazhim aktiv dhe bashkëpunim në grupe.
Përmes anketimit të studentëve nga 11 universitete në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut gjatë vitit akademik 2021-2022, studimi ofron një pasqyrë të re mbi faktorët që ndikojnë në zgjedhjet e studentëve për format e mësimdhënies. Gjetjet e studiuesve vënë në dyshim supozimet tradicionale mbi zgjedhjen e metodave mësimore dhe ofrojnë një bazë të rëndësishme për zhvillimin e politikave edukative në të ardhmen.
Njohuritë kompjuterike janë tashmë një nga faktorët kyç në suksesin akademik, veçanërisht në një kohë kur teknologjia ka një rol të rëndësishëm në procesin mësimor. Ky studim kontribuon në kuptimin e mënyrës se si ndryshimet teknologjike dhe përvojat kërkimore mund të formësojnë preferencat e studentëve dhe ndikojnë në cilësinë e arsimit të lartë.
Për më shumë informacion, mund të lexoni punimin e plotë të publikuar në Taylor and Francis në këtë link: https://www.tandfonline.com/doi/full/10.1080/15512169.2025.2453846?src=exp-la