UBT News

Publikimi i dokumenteve sekrete amerikane, reagon Moska: Mund të jenë false, për të mashtruar Rusinë

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergey Ryabkov nuk e ka përjashtuar mundësinë që dokumentet e fshehta amerikane të zbuluara mund të jenë të rreme dhe të bëra qëllimisht për të mashtruar Rusinë.

“Ne nuk kemi një qëndrim, ndoshta është interesante që dikush t’i shikojë këto dokumente, por nëse ishte një falsitet, ndoshta është një provokim i qëllimshëm”, u tha ai gazetarëve në përgjigje të një pyetjeje nga Tass në lidhje me qëndrimin e Moskës për rrjedhjen e dokumentet e klasifikuara të Pentagonit.

Dokumentet e klasifikuara filluan të shfaqen fillimisht në platformën Discord në fund të muajit shkurt, dhe në vazhdim u përhapën në media të tjera sociale, përfshirë në rrjetet Telegram dhe Twitter. Megjithatë, ato nuk tërhoqën shumë vëmendje derisa gazeta The New York Times raportoi për këto materiale.

Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve se ka ende shumë pikëpyetje që kërkojnë përgjigje për nxjerrjen në publik të këtyre materialeve.

Sipas tij publikimi i dokumenteve sekrete amerikane për luftën në Ukrainë përfaqëson një kërcënim “shumë serioz” për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Dokumentet përmbajnë të dhëna sekrete për luftën që Rusia po bën në Ukrainë, si dhe për aleatët e Shteteve të Bashkuara.

Exit mobile version