Keith Campbell
Shumë përpara se të shkrepej selfie i parë, grekët dhe romakët e lashtë kishin një mit për dikë që ishte paksa shumë i fiksuar pas imazhit të tij. Sipas rrëfimit, Narcisi ishte një djalë i pashëm që endej nëpër botë në kërkim të dikujt për ta dashuruar. Pasi refuzoi një nimfë të quajtur Echo, ai hodhi sytë mbi reflektimin e vetes në ujin e një lumi dhe ra në dashuri me të. Në pamundësi për t’ia shqitur sytë vetes, Narcisi u mbyt. Një lule mbiu në vendin ku ai vdiq, dhe ne e quajmë atë lule Narcisi.
Kjo legjendë rrok idenë bazë të narcisizmit, vetëpërfshirjes së tepruar dhe ndonjëherë të dëmshme. Por nuk është vetëm një lloj personaliteti që shfaqet në artikujt e këshillave. Në fakt është një grup tiparesh të klasifikuara dhe të studiuara nga psikologët. Përkufizimi psikologjik i narcisizmit është një imazh i fryrë, madhështor mbi veten.
Në shkallë të ndryshme, narcisistët mendojnë se duken më mirë, më të zgjuar dhe më të rëndësishëm se njerëzit e tjerë dhe se meritojnë trajtim të veçantë. Psikologët njohin dy forma të narcisizmit si një tipar personaliteti: narcisizmin madhështor dhe të brishtë. Ekziston edhe çrregullimi i personalitetit narcisist, një formë më ekstreme.
Narcisizmi i madhështisë është lloji më i njohur, i karakterizuar nga ekstroversioni, dominimi dhe kërkimi i vëmendjes. Narcizistët shkojnë pas vëmendjes dhe pushtetit, ndonjëherë si politikanë, të famshëm ose udhëheqës kulturorë. Sigurisht, jo të gjithë ata që ndjekin këto pozicione pushteti janë narcisistë. Shumë e bëjnë këtë për arsye shumë pozitive, si arritja e potencialit të tyre të plotë ose ndihma për të përmirësuar jetën e njerëzve. Por individët narcisistë kërkojnë pushtet, për statusin dhe vëmendjen që e shoqëron atë.
Ndërkohë, narcisistët e brishtë mund të jenë të qetë dhe të rezervuar. Ata kanë një ndjenjë të fortë të së drejtës, por kërcënohen ose nënvlerësohen kollaj.
Në secilin rast, ana e errët e narcizismit shfaqet në një afat të gjatë. Narcisistët priren të veprojnë në mënyrë egoiste, kështu që udhëheqësit narcisistë mund të marrin vendime të rrezikshme ose joetike, dhe partnerët narcisistë mund të jenë të pandershëm ose të pabesë. Kur pikëpamja e tyre rozë për veten sfidohet, ata mund të bëhen të zemëruar dhe agresivë. Është si një sëmundje ku të sëmurët ndihen mjaft mirë, por njerëzit rreth tyre vuajnë.
E çuar në ekstrem, kjo sjellje klasifikohet si një çrregullim psikologjik i quajtur çrregullim i personalitetit narcisist. Prek një deri në dy përqind të popullsisë, më shpesh meshkujt. Është gjithashtu një diagnozë e rezervuar për të rriturit. Të rinjtë, veçanërisht fëmijët, mund të jenë shumë të përqendruar te vetja, por kjo mund të jetë thjesht një pjesë normale e zhvillimit.
Edicioni i pestë i Manualit Diagnostik dhe Statistikor të Shoqatës Psikiatrike Amerikane përshkruan disa tipare që lidhen me çrregullimin e personalitetit narcisist. Ato përfshijnë një pikëpamje madhështore për veten, probleme me ndjeshmërinë, ndjenjën e të drejtës dhe nevojën për admirim ose vëmendje. Ajo që i bën këto tipare një çrregullim të vërtetë personaliteti është se ato marrin përsipër jetën e njerëzve dhe shkaktojnë probleme të rëndësishme. Imagjinoni që në vend që të kujdeseni për bashkëshortin ose fëmijët, t’i përdorni ata si burim vëmendjeje ose admirimi. Ose imagjinoni që në vend që të kërkoni reagime konstruktive për performancën tuaj, t’u thoni të gjithëve që u përpoqën t’ju ndihmojnë se e kishin gabim.
Atëherë, çfarë e shkakton narcisizmin? Studimet e shumta flasin për një komponent të fortë gjenetik, megjithëse nuk e dimë se cilat gjene janë të përfshira. Por mjedisi gjithashtu ka rëndësi. Prindërit që e vendosin fëmijën e tyre në një piedestal mund të nxisin narcizismin e madhështisë, dhe prindërit e ftohtë dhe kontrollues mund të kontribuojnë në narcizismin e brishtë.
Narcisizmi gjithashtu duket të jetë më i lartë në kulturat që vlerësojnë individualitetin dhe vetëpromovimin. Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, narcizismi si tipar personaliteti është rritur që nga vitet 1970, kur fokusi bashkësor i viteve ’60 i la vendin lëvizjes së vetëvlerësimit dhe rritjes së materializmit. Kohët e fundit, mediat sociale kanë shumëfishuar mundësitë për vetëpromovim, megjithëse vlen të përmendet se nuk ka asnjë provë të qartë që mediat sociale shkaktojnë narcizisëm. Përkundrazi, ajo u ofron narcizistëve një mjet për të kërkuar statusin dhe vëmendjen shoqërore.
Atëherë, a munden t’i përmirësojnë narcisistët këto tipare negative? Po! Çdo gjë që nxit reflektimin e ndershëm mbi sjelljen e tyre dhe kujdesin për të tjerët, si psikoterapia ose praktikimi i dhembshurisë ndaj të tjerëve, mund të jetë e dobishme. Vështirësia është se mund të jetë sfiduese për njerëzit me çrregullim të personalitetit narcizist që të vazhdojnë të punojnë për të përmirësuar veten. Për një narcizist, vetë-reflektimi është i vështirë nga një këndvështrim jo i këndshëm. / TED Talks – Bota.al