Kryetari i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PShDK), Zef Morina bashkë me delegacionin kanë vizituar familjen Rugova. Në rezidencën e presidentit Ibrahim Rugova, ata janë pritur në takim nga bashkëshortja Fana dhe djali, Uka.
Partia Shqiptare Demokristiane ka qenë gjithmonë aleate dhe besnike e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë kreu i PShDK-së, Zef Morina.
“Ishte kënaqësi takimi sot, e falënderuam familjen Rugova për pritjen që na i ka bërë dhe angazhimin që është duke e bërë si familje për të mirën e vendit. Gjithashtu e njoftuam familjen Rugova se Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës ka arritur koalicion, ka vazhduar koalicion me LDK-në për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në shkurt. I treguam që ne si demokristian nuk kemi ndërruar qasjen dhe nuk e kemi ndërruar vizionin që kemi pasur me presidentin Rugova dhe do ta kemi çdo herë”, tha ai.
Si ministri i parë i zgjedhur nga Rugova, Morina theksoi se qeveria e atëhershme ishte shumë më e mirë e tanishmja.
“Unë jam ministri i parë i cili jam zgjedhur nga vet presidenti Rugova, në kohën kur ne kemi qenë në qeveri, qeveria ka qenë shumë e mirë në krahasim me qeverisë pasardhëse sidomos me këtë të fundit. Emocione shumë të mëdha sepse disa herë kam hyrë në këtë familje, në këtë rezidencë, jam takuar me presidentin, kemi biseduar për të mirën e vendit, për punën për angazhimin e qeverisë dhe të gjithë popullit tonë. Mungesa e tij ishte shumë e madhe”, u shpreh ai pas takimit.
Morina u shpreh i bindur se në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës do të dal fitimtare.
“Jam shumë i sigurt që Lidhja Demokratike e Kosovës bashkë me ne kësaj radhe do të dalin fitimtare për shkak se shpresa e vetme e popullit dhe e vendit tonë është një politikë e mençme të cilën do të ta udhëheq LDK, me vizion të presidentit Rugova duke punuar për të mirën e popullit dhe duke ruajtur e kultivuar miqësitë që i ka lënë presidenti Rugova”, theksoi ai.