UBT News

Pse vajza e Bill Gates përdorte mbiemër tjetër në shkollë?

Phoebe Gates, vajza më e vogël e bashkëthemeluesit të “Microsoft”-it, Bill Gates, ka zbuluar së fundmi arsyen pse prindërit e saj i këshilluan të mos përdorte mbiemrin e vërtetë gjatë fëmijërisë.

Të rritesh nën hijen e njërit prej njerëzve më të pasur në botë solli sfida të veçanta, ndaj prindërit zgjodhën këtë mënyrë për ta mbrojtur.

Bill Gates, i njohur për revolucionin në teknologji, është tërhequr nga operacionet e përditshme të “Microsoft”-it që nga 2008, për t’iu përkushtuar punës bamirëse. Më 2014 dha dorëheqjen si kryetar i bordit, ndërsa më 2020 u largua tërësisht edhe nga bordi i drejtorëve.

Në fokusin kryesor mbetet Fondacioni Gates, përmes të cilit ai ka vendosur që tre fëmijët – Jennifer, Rory dhe Phoebe – të trashëgojnë më pak se 1% të pasurisë së tij, e cila vlerësohet në mbi 100 miliardë dollarë.

“Fëmijët e mi kanë marrë një arsimim të shkëlqyer, por nuk do të trashëgojnë më shumë se një përqind të pasurisë, sepse besoj se nuk do të ishte në të mirën e tyre”, tha Gates në një podcast, duke shtuar: “Nuk është një dinasti. Nuk pres që ata të drejtojnë Microsoft-in.”

Në podcast-in e saj “The Burnouts”, të cilin e drejton me shoqen e dhomës Sophia Kianni, Phoebe tregoi se prindërit e saj i këshilluan të përdorte mbiemrin e vajzërisë së nënës, French, deri në shkollën e mesme.

“Ata ishin të vendosur të mos përdornim mbiemrin Gates që në fëmijëri. Në vend të tij, përdornim mbiemrin e nënës sonë, French,” u shpreh 22-vjeçarja.

Sipas saj, ky vendim i ndihmoi fëmijët të krijonin shoqëri në mënyrë më të natyrshme, pa paragjykime për shkak të pasurisë dhe mbiemrit të njohur. Megjithëse Bill Gates është i vendosur që fëmijët të ndërtojnë vetë rrugën e tyre në jetë, mbetet e qartë se edhe një përqind e pasurisë së tij përfaqëson mbi një miliard dollarë – një e ardhme financiare mëse e sigurt për ta. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version