UBT News

Pse tetori është muaji më i rëndësishëm për sistemin imunitar?

Sezoni i viruseve respiratore zakonisht rritet në tetor, duke e bërë këtë periudhë kritike për forcimin e imunitetit.

Sipas Dr. Sharon Nachman, MD, shefe e sëmundjeve infektive pediatrike në Spitalin Stony Brook Children’s, “Edhe pse zakonet e shëndetshme janë të rëndësishme gjatë gjithë vitit, tetori është muaji kur rritet rreziku për infeksione respiratore.”

Dr. Michael Richardson, MD, mjek familjar, shton se moti më i ftohtë, tubimet brenda ambienteve dhe udhëtimet për festat e vjeshtës e bëjnë më të lehtë përhapjen e viruseve.

Edhe fëmijët janë më të ekspozuar pasi kthehen në shkolla dhe takojnë më shumë njerëz, thotë Dr. Raj Dasgupta, MD. Vjeshta është koha kur trupi mund të jetë i lodhur nga ndryshimi i stinëve, ndaj sistemi imunitar ka nevojë për mbështetje shtesë për të shmangur ftohjet, gripin apo infeksione më serioze.

Këshilla për të forcuar imunitetin këtë tetor

Merrni vaksinat e rekomanduara: Funksionojnë si stërvitje për sistemin imunitar, duke e përgatitur për të luftuar infeksionet. Dr. Dasgupta sugjeron vaksinën vjetore dhe nëse jeni të kualifikuar, vaksinën kundër COVID-19. Koha më e mirë për të marrë vaksinën e gripit është shtatori ose tetori, për t’u mbrojtur para kulmit të sezonit.

Hani ushqime të plota dhe të shëndetshme: Frutat, perimet, drithërat, proteinat dhe yndyrnat e shëndetshme ofrojnë vitamina e minerale që mbështesin funksionin e qelizave imunitare, si vitamina C, D, zinku dhe antioksidantët. Dieta me stil Mesdhetar është model i shkëlqyer.

Qëndroni të hidratuar: Uji ndihmon qarkullimin e gjakut dhe lëvizjen e faktorëve imunitar. Alkooli dobëson imunitetin, ndaj shmangeni.

Flini mjaftueshëm: Gjumi është i rëndësishëm për prodhimin e hormonave e mediatorëve si citokinat, që ndihmojnë qelizat të luftojnë infeksionet. Largoni telefonat gjatë natës për të përmirësuar cilësinë e gjumit.

Ulni stresin: Ai kronik rrit nivelin e kortizolit dhe dobëson imunitetin. Frymëmarrja e thellë, pushimet e shkurtra dhe teknikat e vëmendjes së plotë ndihmojnë trupin të rikuperohet.

Bëni ushtrime rregullisht: Aktiviteti fizik jo vetëm forcon muskujt, por përmirëson edhe imunitetin e ndihmon trupin të luftojë infeksionet.

Qëndroni në shtëpi kur jeni të sëmurë: Pushimi ndihmon sistemin imunitar të rikuperohet më shpejt dhe mbron të tjerët nga infeksioni.

Në thelb, tetori është muaji kur duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë ushqimit, gjumit, aktivitetit fizik dhe vaksinave për të mbajtur imunitetin në formë të mirë gjatë sezonit të vjeshtës dhe dimrit. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version