Tashmë ka dy vite prej kur Kosova dhe Danimarka kishin nënshkruar marrëveshje për të sjellë në vendin tonë 300 të burgosur. Kjo si përpjekje për të reduktuar siç është thënë, mbipopullimin në burgjet e Danimarkës.
E idenë e ndërtimit të një burgu në Kosovë, e ka shprehur edhe deputeti belg Theo Francken. Sipas tij, në atë burg do të vendoseshin të burgosurit që janë pa dukumente në Belgjikë. Ai tha se iden e mori pas një vizite në Ballkan.
Eksperti i sigurisë, Avni Islami në një prononcim për UBTNews, tregon arsyet se pse po mendohet Kosova opsion për transferimin e të burgosurëve.
“Është për arsye se Kosova konsiderohet si vend i sigurt ku mbreteron rendi dhe ligji, dhe aq më tepër kur dihet se në Kosovë janë të stacionuar misioni i EULEX-it dhe KFOR-it…Kostoja e tyre është jazakonisht e lartë nga vendet të cilat kanë bërë kërkesë të transferohen në vendin tonë dhe kur dihet qe kostoja te ne është shumë më e lirë prandaj kjo mendoj se do të ishte një arsye tjetër që të bëhet kërkesa”, deklaroi Islami.
Por pse Kosova po shprehet e gatshme që të pranoj kërkesa të tilla?
“Kur dihet që vendi ynë aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe aleancës veriatlantike (NATO) dhe kur dihet se Kosova si shtet i ri në rrugëtimin e saj e ka përkrahjen e vendeve të Beneluksit, pra Belgjika, Danimarka, Holanda, dhe në një farë forme ne po ua kthejmë borxhin me të mirë atyre që në ditët më të vështira na ndihmuan.
Ndërkohë njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi thotë se transferimi i mundshëm i të burgosurve nga shtetet e tjera nuk mund të ketë efekt në sigurinë publike të Kosovës.
“Në fakt jo, nuk do të ketë mundësi të ketë ndikim apo efekt në sigurinë i Kosovës shkëmbimi i të burgosurëve për faktin se Kosova ka burgje mirë të organizuar, burgje të cilat plotësojnë kushtet e sigurisë dhe po ashtu plotësojnë standardet ndërkombëtare në mbajtje në vuajtje”, deklaroi Elezi.
Sa i përket ndikimit në imazhin dhe reputacionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare, Elezi thotë se këto bashkëpunime kanë ndikim pozitiv.
“Padyshim që kjo inciativë dhe këto lloj bashkëpunimesh kanë ndikim pozitiv në imazhin e Kosovës. Duke e cilësuar Kosovën si një vend të rëndësishëm për të shkëmbyer mund të themi të burgosur dhe për të ofruar siguri dhe njëkohësisht kushte koherente, demokratike për mbajtje dhe po ashtu përfitime në kuptimin e biznesit”, shtoi ai.
Te marrëveshja që Kosova dhe Danimarka kanë nënshkruar për të burgosurit, mendohet që shteti skandinav të marrë me qira 300 qeli burgu për një tarifë vjetore prej 15 milionë eurosh.
Qeveria e Kosovës, në qershor të vitit të kaluar kishte miratuar këtë ujdi, por që i njëjti ende nuk ka kaluar në Kuvend./UBTNews/
Realizoi: Fjolla Gashi