OPINION l Stephen C. Meyer
Lajmet e kohëve të fundit nuk ishin inkurajuese për besimtarët. Një sondazh i Gallup tregon se përqindja e amerikanëve që besojnë në Zot ka rënë në 81 përqind – një rënie prej 10 përqind gjatë dekadës së fundit dhe njëkohësisht niveli më i ulët historik.
Ky trend është veçanërisht i theksuar tek të rinjtë. Sipas një sondazhi të Qendrës Kërkimore Pew, 18-29-vjeçarët janë të përfaqësuar në mënyrë disproporcionale midis të ashtuquajturve ateistë, gnostikë dhe atyre që nuk besojnë ndonjë religjion.
Pastorët dhe udhëheqësit e tjerë fetarë ia atribuojnë këtë prirje shumë faktorëve: të rinjtë që rriten jashtë kishës, mosnjohja me liturgjinë dhe kulturën e kishës, madje edhe COVID-19.
Ne gjetëm një përgjigje tjetër në sondazhin tonë kombëtar për të hetuar arsyet themelore për këtë mosbesim në rritje: një keqkuptim i shkencës.
Sondazhi zbuloi se mesazhi i perceptuar i shkencës ka luajtur një rol kryesor në humbjen e besimit. Ne zbuluam se teoritë shkencore rreth evolucionit të padrejtuar të jetës, në veçanti, kanë shtyrë më shumë njerëz të refuzojnë besimin në Zot sesa shqetësimet për vuajtjet, sëmundjet ose vdekjen. Sondazhi tregoi gjithashtu se 65 përqind e ateistëve dhe 43 përqind e gnostikëve besojnë se “gjetjet e shkencës [në përgjithësi] e bëjnë ekzistencën e Zotit më pak të mundshme”. Është e lehtë të kuptosh pse ky perceptim është përhapur.
Vitet e fundit, shumë shkencëtarë janë shfaqur si zëdhënës të famshëm të ateizmit. Richard Dawkins, Lawrence Krauss, Bill Nye, Michael Shermer, i ndjeri Stephen Hawking dhe të tjerë kanë botuar libra duke argumentuar se shkenca e bën besimin në Zot të panevojshëm ose të pabesueshëm.
Megjithatë, mes mesazhit dhe realitetit, ekziston një shkëputje e madhe.
Gjatë shekullit të kaluar, zbulime të rëndësishme shkencore kanë sfiduar në mënyrë dramatike ateizmin e bazuar në shkencë, dhe tre në veçanti tani tregojnë një histori shumë më miqësore ndaj Perëndisë.
Së pari, shkencëtarët kanë zbuluar se universi fizik kishte një fillim. Ky zbulim, i mbështetur nga astronomia vëzhguese dhe fizika teorike, bie ndesh me pritshmëritë e shkencëtarëve ateistë, të cilët prej kohësh e portretizuan universin si të përjetshëm dhe vetëekzistent dhe, për rrjedhojë, nuk kishte nevojë për një krijues të jashtëm.
Dëshmitë për atë që shkencëtarët e quajnë Big Bengu kanë konfirmuar pritshmëritë e teistëve tradicionalë. Laureati i Nobelit, Arno Penzias, i cili ndihmoi në një zbulim kyç në mbështetje të teorisë së Big Bengut, ka vënë në dukje lidhjen e dukshme midis pohimit të tij të një fillimi kozmik dhe konceptit të krijimit hyjnor.
Së dyti, zbulimet nga fizika rreth strukturës së universit e përforcojnë këtë përfundim teist. Që nga vitet 1960, fizikanët kanë përcaktuar se ligjet dhe parametrat themelorë fizikë të universit tonë janë përshtatur mirë, për ta bërë universin tonë të aftë për jetën. Edhe ndryshimet e lehta të shumë faktorëve të pavarur—si forca e tërheqjes gravitacionale ose rregullimi fillestar i materies dhe energjisë në univers—do ta kishin bërë jetën të pamundur. Shkencëtarët kanë zbuluar se ne jetojmë në një lloj “Universi Goldilocks”, ose atë që fizikani australian Luke Barnes e quan një “Univers me fat”.
Siç argumentoi ish-astrofizikani i Kembrixhit, Sir Fred Hoyle, “Një interpretim me sens të përbashkët i të dhënave sugjeron se një super-intelekt është bashkuar me fizikën” për të bërë të mundur jetën.
Së treti, biologjia molekulare ka zbuluar praninë e një bote të hollë të nanoteknologjisë informative tek qelizat e gjalla. Këto përfshijnë kodin dixhital në ADN dhe ARN, makineri të vogla molekulare, të ndërtuara në mënyrë të ndërlikuar, të cilat tejkalojnë shumë teknologjinë tonë të lartë dixhitale në aftësitë e tyre të ruajtjes dhe transmetimit. Madje edhe Richard Dawkins ka pranuar se “kodi i makinës së gjeneve është jashtëzakonisht i ngjashëm me kompjuterin” – duke nënkuptuar, me sa duket, veprimtarinë e një programuesi-mjeshtër në punë origjinën e jetës. Së paku, zbulimet e biologjisë moderne nuk janë ato që do të priste dikush nga proceset e verbëra materialiste.
E gjithë kjo nënvizon një pabarazi në rritje midis perceptimeve publike për mesazhin e shkencës dhe asaj që tregojnë faktet shkencore.
Zbulimet e mëdha të shekullit të kaluar nuk tregojnë për “indiferencë të verbër dhe të pamëshirshme”, ato tregojnë për Universin dhe një “sistem” të dizajnuar detajisht, dhe për një krijues inteligjent që qëndron pas të gjithave./UBTNews/
Rreth shkrimtarit: Stephen C. Meyer drejton Qendrën për Shkencë dhe Kulturë të Institutit Discovery në Seattle. Ai mori doktoraturën për Filozofi të Shkencës nga Universiteti i Kembrixhit.
Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të vetë shkrimtarit.