Presidenti Joe Biden parashikoi një kthim në njëfarë normaliteti “deri në fund të verës” të hënën, por ekspertët e shëndetit janë gjithnjë e më shumë në dyshime se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të arrijnë imunitetin e tufës nga Covid-19.
Rastet dhe vdekjet e përditshme si pasojë e koronavirusit kanë rënë në një të pestën e asaj që ishin gjatë majave të dimrit falë vaksinave. Deri më tani, më shumë se 40% e popullsisë së rritur dhe gati 70% e popullsisë së moshuar janë plotësisht të vaksinuar.
Dr. Anthony Fauci dhe ekspertët kanë vlerësuar që midis 70% deri 85% e popullatës amerikane duhet të jetë imune ndaj virusit – përmes vaksinimit ose infeksionit të mëparshëm – që të arrihet imuniteti i tufës. Ai tha në mars që kjo mund të ndodhë kur studentët e shkollës së mesme vaksinohen.
Shtetet e Bashkuara janë një hap më afër kësaj, pasi që janë gati të autorizojnë vaksinën e Pfizer/BioNTech për fëmijë dhe adoleshentë të moshës 12 deri në 15 vjeç deri në fillim të javës së ardhshme.
Por norma mesatare ditore e vaksinimeve ka rënë, kjo është shqetësuese sepse të rinjtë e pavaksinuar po ndihmojnë në rritjen e rasteve me COVID-19 në të gjithë SHBA.
“Dimrit ne kemi një ringjallje të madhe, mbase kemi variante që vijnë nga vende të tjera dhe ne mund ta fillojmë të gjithë këtë proces nga e para dhe të kemi një tjetër pandemi të madhe të vijë dimri”, u shpreh dr. Leana Wen.
Megjithatë, disa ekspertë mendojnë se vaksinimi do të ndikojë pozitivisht, duke lejuar që shumica e njerëzve të kthehen në jetën e tyre para-pandemike për sa kohë që numri i rasteve vazhdon të bie.
“Ne mund të mos arrijmë në zero, ndoshta nuk do ta bëjmë”, tha të hënën Dr. Ashish Jha, dekani i Shkollës së Shëndetit të Universitetit Brown. “Por nëse mund të marrim infeksione në nivele shumë të ulëta, shumica prej nesh mund t’i kthehemi jetës sonë në mënyra normale. Unë mendoj se ndoshta mund të jetojmë me këtë”, shtoi ai.
Por, në dy javët e fundit ka pasur më shumë raste sesa gjashtë muajt e parë të pandemisë. Kjo vjen ndërsa barra e Covid-19 është zhvendosur te kombet më të varfra.
India tejkaloi 20 milionë raste zyrtare të martën (megjithëse totali i vërtetë besohet të jetë shumë më i lartë), ndërsa Nepali fqinj ka parë një rritje më shumë se 1,200% të rasteve mesatare Covid-19 që nga mesi i prillit./UBTNews
(Arjeta Ibishi, studente në Media dhe Komunikim në UBT)