Regjisorja dhe shkrimtarja amerikane Nora Ephron ka thënë dikur: “Fytyrat tona janë gënjeshtra, qafat tona janë e vërteta”.
Dhe në fakt, kjo shprehje është e saktë: ndërhyrjet estetike mund të zbusin shenjat e moshës në fytyrë, por qafa shpesh i tregon vitet e kaluara. Rrudhat dhe lëkura e varur në këtë zonë mbeten dëshmi e kohës. Por pse qafa plaket më shpejt dhe a mund ta parandalojmë?
Pse qafa plaket shpejt?
Sipas specialistëve, disa faktorë ndikojnë në plakje, qëndrimi i dobët, mungesa e kujdesit të rregullt, ekspozimi në diell dhe dobësimi natyral i muskujve. Lëkura e qafës është më e hollë, ka më pak gjëndra dhjamore dhe më pak kolagjen, duke e bërë më të ndjeshme ndaj rrudhave.
Qafa e teknologjisë
Një shkak modern është “qafa e teknologjisë” – qëndrimi i përkulur para kompjuterit a telefonit. Ky zakon jo vetëm që shkakton dhimbje dhe tension, por krijon vija horizontale në qafë dhe poshtë mjekrës. Për ta shmangur, pajisjet vendosni në nivelin e syve.
Kujdesi i përditshëm
Ashtu si fytyra, dhe qafa duhet mbrojtur nga dielli duke përdorur krem mbrojtës, qafa duhet të trajtohet njësoj si fytyra: me serume, kremra hidratues e produkte ushqyese në mëngjes dhe mbrëmje. Lëkura thahet shpejt, shmang produktet me bazë alkooli ose sapunët agresivë.
Trajtimet estetike
Pas moshës 50-vjeçare, kur shenjat bëhen më të dukshme, mjekësia ofron alternativa për stimulimin e prodhimit të kolagjenit: trajtimet me plazmë të pasuruar me trombocite, acid hialuronik ose biostimulues që rigjallërojnë dermën.
Po ashtu përdoren metoda si lifting me fije, radiofrekuencë ose lazer nënlëkuror që ndihmojnë në shtrëngimin e lëkurës.
Në rastet kur qafa është e relaksuar dhe e varur, zgjidhja e vetme mbetet ndërhyrja kirurgjikale, si liposuksioni për heqjen e yndyrës së tepërt apo lifting-u i plotë që riformëson muskujt dhe përmirëson konturin e qafës. /A.Z/UBT News/