Në fund të një fjalimi të hidhur dhe armiqësor, në të cilin ai pati një qasje agresive ndaj Kievit dhe Perëndimit, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se ka vendosur që të njohë entitetet separatiste, që kontrollojnë pjesë të Ukrainës lindore, si shtete të pavarura – dhe shumë shpejt nënshkroi një dekret për zyrtarizimin e këtij vendimi.
Për vite, madje edhe në muajt e fundit, gjerësisht besohej se Putini nuk do të përmbahej nga një lëvizje e tillë. Në fund të fundit, kjo do të vendoste një levë potencialisht të fuqishme ndikimi mbi Kievin dhe duke bërë që marrëveshja e Minskut, marrëveshje që ka për qëllim dhënien fund të luftës që ka vrarë më shumë se 13,200 persona në Donbas që prej vitit 2014 dhe të zgjidhte konfliktin midis separatistëve dhe Qeverisë ukrainase, të jetë e paarritshme.
Pra, pse vendosi që të njihte pavarësinë e këtyre rajoneve? Më poshtë mund të mësoni disa prej arsyeve të mundshme.
Marrëveshja e Miskut
E nënshkruar në shkurt të vitit 2015, marrëveshja që njihet si Minsk 2 është parë nga Moska si një mënyrë për të fituar ndikim të fuqishëm mbi politikën ukrainase – si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm – duke i dhënë një masë të madhe autonomie forcave të mbështetura nga Rusia, që kanë nën kontroll pjesë të rajoneve Donjeck dhe Luhansk – që njihen me termin Donbas – që prej pranverës së vitit 2014.
Por, Rusia dhe Ukraina kanë mospajtime thelbësore mbi aspektet kyçe të paktit, përfshirë edhe për bashkërenditjen e hapave për ndërtimin e besimit, gjë për të cilën bëhet thirrje në këtë marrëveshje. Dhe Putini ndoshta humbi shpresat që kjo marrëveshje do të zbatohej ndonjëherë sipas kushteve të Moskës.
Shmangia e një lufte më të gjerë, apo thjesht shtyrja e saj?
Duke dëgjuar fjalimin e Putinit drejtuar kombit më 21 shkurt, dikush mund të justifikohet se ka menduar që lideri rus do të njoftonte për atë që Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mund të ndodhë në çdo moment, pas grumbullimit të mbi 130,000 trupave ruse në afërsi të kufijve të Ukrainsë: një sulm ushtarak i shkallës së gjerë ndaj shtetit fqinj.
Prapë mundet: përsëritja e ankesave për Ukrainën nga ana e Putinit i bëri jehonë retorikës së mëparshme për një vend, që, sipas tij, është sajuar nga udhëheqësi bolshevik, Vladimir Lenin. Me këtë, ai la të kuptohet se ka ambicie që vështirë se mund të përmbushen duke i shpallur të pavarura dy pjesë të vendit.
Dhe disa analistë parashikojnë se njohja e rajoneve në lindje të Ukrainës mund të jetë hapi i parë i asaj që mund të jetë një fushatë e madhe ushtarake, që do të synonte rrëzimin e Qeverisë në Kiev.
Por, të paktën tash për tash, Putin mund ta shohë njohjen si një mënyrë për të nxjerrë diçka që ai mund ta shesë si fitore duke shmangur dy ekstreme – në njërën anë, një pushtim të ri masiv dhe gjakderdhje që do të pasonte dhe në anën tjetër, shfaqjen e një zmbrapsjeje përballë vendosmërisë ukrainase dhe perëndimore.
Në të njëjtën kohë, Rusia duket se do të jetë në gjendje që të vazhdojë të ushtrojë presion ushtarak mbi Ukrainën. Në Donbas, ky presion mund të jetë më i madh se kurrë më parë: separatistët pretendojnë rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut në tërësinë e tyre, dhe jo vetëm pjesët e vogla të territorit që kanë nën kontroll, prandaj njohja bart kërcënimin se mund të ketë tentime që të merret kontrolli i pjesës tjetër të territorit të këtyre dy provincave.
utin mund ta ketë nënkuptuar këtë mundësi, kur gjatë fjalimit të tij sugjeroi se disa pjesë të Ukrainës me të drejtë i përkisnin Rusisë. Në fakt, një formë tjetër e presionit është sugjerimi se Rusia zyrtarisht mund të përvetësojë të dy territoret, diçka që dy togerët kryesorë të Putinit lanë të kuptohet – gjoja gabimisht – se mund të ndodhë gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë, që u transmetua nga mediat. Ky takim i parapriu adresimit të Putinit dhe dekretit për njohje.
Shqetësimet e brendshme
Qëllimi i fjalimit të Putinit dukej se ishte përgatitja e rusëve për një përpjekje më agresive për ta nënshtruar Ukrainën në të ardhmen.
Por, ndërsa një shtypje e vazhdueshme dhe e paprecedentë e shoqërisë civile dhe disidencës ka dobësuar opozitën dhe ka dobësuar potencialin e qytetarëve që të protestojnë, Putini mund ta kuptojë se për shumicën e rusëve – që po luftojnë me pandeminë COVID-19 dhe me vështirësitë ekonomike – njohja e separatistëve të mbështetur nga Moska është më e pëlqyeshme sesa një luftë e madhe me një fqinj, pasi pakkush pajtohet me ankesat e tij të përsëritura për Ukrainën.
Dobësimi i Kievit…
Në sytë e Kremlinit, dekreti për njohje ia heqë Ukrainës një pjesë të territorit, tetë vjet pasi Rusia ankesoi Gadishullin ukrainas të Krimesë.
Putin ndoshta shpreson se një gjë e tillë do ta dobësojë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensiky. Ai fitoi lehtësisht zgjedhjet më 2019 pas një fushate që një prej platformave kryesore kishte zotimin që t’i jepej fund luftës në Donbas – por, jo duke e dorëzuar territorin.
… dhe përçarja e Perëndimit
Një pushtim i shkallës së gjerë me gjasë do të rriste unitetin në Perëndim, duke forcuar vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për të paraqitur një front të përbashkët.
Putin ndoshta është duke llogaritur se njohja e rajoneve në lindje të Ukrainës do të bëjë që shtetet Perëndimore të kenë vështirësi që të pajtohen se si të përgjigjen apo se çfarë sanksionesh të vendosin, veçanërisht nëse Rusia dhe separatistët nuk bëjnë avancime drejt territoreve nën kontrollin e Qeverisë në Donbas, dhe nëse Moska nis tërheqjen e forcave nga kufijtë ukrainas – edhe pse deri më tani nuk ka dhënë asnjë sinjal se tërheqja e trupave mund të ndodhë së shpejti.
Nxitja e një provokimi?
Në dekretet e njohjes të nënshkruara nga Putini thuhej se Rusia së shpejti do të dërgonte forca në Donbas, të paktën për një periudhë të kufizuar kohore – diçka që Rusia ka mohuar se e ka bërë gjatë tetë vjetëve të luftës në këtë rajon, pavarësisht se ka pasur dëshmi të konsiderueshme për përfshirjen e trupave dhe oficerëve rusë.
Putin ndoshta shpreson që vendimi i tij do të nxisë një përgjigje ushtarake që do të mund të shërbente si pretekst për të përdorur forcën që të arrijë qëllimet e tij në Ukrainë.
“Qëllimi kryesor i fjalimit është që Rusia tani i ka dhënë vetes një pretekst për t’iu përgjigjur ‘sulmeve’ ndaj [separatistëve] pa pasur nevojë që të fshehë përfshirjen e saj direkte ushtarake”, shkroi në Twitter Samuel Charap, analist i lartë politik në organizatën RAND Corporation.
Deri më tani, “Rusia nuk kishte një justifikim për ndërhyrje të hapur ushtarake dhe sipas ligjeve të veta, tani do të ketë”, shkroi Charap. “Ky është një element i narrativit që mungonte”./RFE