Nga Jo Adetunji, redaktore në The Conversation
Edhe njëherë, Irani është në mes të trazirave politike dhe atyre civile. Protestat e fundit, të shkaktuara nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini pas arrestimit të saj nga policia e moralit, pasojnë disa protesta të tjera që kanë ndodhur në Iran gjatë viteve të fundit.
Por pse janë ndryshe nga protestat e kaluara?
1.Mbështetja publike për këto protesta është më e madhe dhe më e përhapur
Në qendër të protestave të fundit është policia morale e Iranit, e cila ka për detyrë të zbatojë kode strikte rreth veshjes dhe sjelljes. Policia e moralit e arrestoi Mahsa Aminin më 13 shtator nën arsyetimin se e veshi hixhabin në mënyrë të papërshtatshme. Ajo vdiq në paraburgim. Familja e saj tha se ajo u keqtrajtua nga policia (deklaratë e cila u hodh poshtë nga Qeveria dhe policia).
Çfarëdo që ndodhi, çështja Amini ka shkaktuar zemërim publik rreth sjelljes së policisë së moralit. Protestuesit kërkojnë që grave t’u jepet e drejta për të zgjedhur çfarë të veshin. Zemërimi që ndjen ky grup për ndërhyrjen e qeverisë në vendimet personale të njerëzve po shpërfaqet edhe në protestën aktuale.
Që nga fillimi i viteve 1980, kur kleri në pushtet konsolidoi pushtetin duke eliminuar grupet opozitare, rregullimi shoqëror dhe rregullat strikte rreth stilit të jetesës kanë formuar thelbin e politikave të tyre. Megjithëse ndërhyrja e qeverisë në jetën e qytetarëve të saj ishte dikur shumë më e përhapur dhe më e gjerë, si dhe rregullat ishin më strikte.
Por me kalimin e kohës, masat e tilla u relaksuan (në njëfarë mase). Për gratë, sidoqoftë, rregullat janë ende tejet diskriminuese. Qeveria iraniane insiston në mohimin e të drejtave fundamentale të grave, por debati rreth shamisë dhe veshjes së grave është vetëm një manifestim i dukshëm i saj.
Përveçse janë nënçmuese dhe degraduese, këto rregulla e bëjnë jetën e përditshme jashtëzakonisht të vështirë për një numër të madh grash që nuk janë dakord me klerin.
Sot është thuajse e pamundur të gjesh dikë në Iran që s’u turpërua nga kleri në njëfarë forme. Kjo është arsyeja pse në krahasim me protestat e mëparshme në Iran, numri i njerëzve që mbështesin këto aktualet duket mjaft i lartë. Protestat po zhvillohen në qytete të mëdha dhe të vogla, lagje të pasura dhe të varfra.
2.Protestat e fundit po udhëheqen nga gratë
Për dallim nga protestat e kaluara, këtë herë gratë janë në ballë të protestave. Të drejtat e grave janë në qendër të këtyre protestave, ndërsa protestat e mëparshme u zhvilluan kryesisht për çështje ekonomike apo politike.
Ndërhyrja e qeverisë në jetën private të qytetarëve – veçanërisht të grave – është burimi i protestave këtë herë. Deri më tani ka qenë e vështirë që qeveria të shpjegojë politikat e saj në një mënyrë që është bindëse për shumë njerëz.
3.Guximi i treguar gjatë këtyre protestave është i paprecedentë
Protesta përbën rrezik personal në Iran. Por këta protestues kanë bërë disa gjëra jashtëzakonisht të guximshme. Guximi i treguar nga protestuesit është i paprecedentë.
Disa gra hoqën shamitë në rrugë dhe i dogjën ato. E kishte edhe prej atyre që i prenë flokët në publik.
Women of Iran-Saghez removed their headscarves in protest against the murder of Mahsa Amini 22 Yr old woman by hijab police and chanting:
— Masih Alinejad 🏳️ (@AlinejadMasih) September 17, 2022
death to dictator!
Removing hijab is a punishable crime in Iran. We call on women and men around the world to show solidarity. #مهسا_امینی pic.twitter.com/ActEYqOr1Q
Shumë video shfaqin përballjen e policisë me protestuesit. Shkalla e protestave këtë herë është e pazakontë.
A do të sjellin këto protesta ndryshime të qëndrueshme?
Është shumë herët për të thënë. Udhëheqësit e Iranit kanë treguar herë pas here se nuk janë të interesuar t’i nënshtrohen kërkesave popullore. Udhëheqësit iranianë mund të frikësohen se qetësimi i protestave mund të nxiste kërkesa të mëtejshme dhe madje mund të sjellte edhe rënien e tyre.
Ndoshta më e rëndësishmja nga këto kosto është efekti që këto protesta kanë pasur në legjitimitetin tashmë në pakësim të Republikës Islamike, si brenda dhe jashtë vendit./UBTNews/
Përktheu dhe përshtati UBTNews