Aksidentet rrugore janë një shqetësim i përditshëm për qytetarët e Prishtinës. Nga ngjarjet tragjike deri te incidentet e lehta, trafiku i rënduar dhe rrugët e ngushta sjellin sfida të vazhdueshme për sigurinë rrugore në kryeqytet.
Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti, konsideron se njëri nga faktorët e aksidenteve është marrja e patentë shoferëve në mënyrë të jashtëligjshme.
“Marrja e patentë shoferëve me meritokraci e jo siç merren te ne që nuk kemi informacione zyrtare, por flitet gjithmonë. Pastaj ekzaminierët të jenë të fushës, e mos të jenë siç janë biolog, ndërtimtar, muzikanta. Sepse nuk e kuptojnë komunikacionin, sepse nuk është e thjeshtë që çdo njeri të merret me të, por duhet ekspertët e fushës”, deklaroi ai për UBTNews.
Ai tregoi edhe për zonat të cilat janë më të rrezikuara nga aksidentet.
“Kryesisht zonat më të rrezikshme janë stacionet e autobusëve, pastaj udhëkryqet e ndryshme apo në afërsi të shkollave, apo zonat që frekuentohen prej fëmijëve”, deklaroi ai tutje.
Teksa shtoi se në Prishtinë, trafiku çalon në aspektin e teknologjisë së mençur.
“Ne çalojmë në aspektin e teknologjisë të informimit apo tekonologjisë së mençur. E që janë kamerat, radarët mobil dhe statik, gjithashtu semaforët. E keni vërejtur në Prishtinë mungojnë semaforët, në rrugën UÇK-së ku lidhet me rrugën Migjeni, pastaj te rruga Migjeni ku lidhet me rrugën Fehmi Agani dhe rrugën “Luan Haradinaj”, pastaj rrugën “Agim Ramadani”, në udhëkryqin te aleanca në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” që lidhet me zonën e Ulpianës. Në udhëkryqi në Taukbashqe, ekzistojnë semaforët por nuk fuksionojnë. Ne duhet çdo udhëkryq ku ka shkolla, çerdhe apo ku ka frekuentim të madh të këmbësorëve mos të ketë rrethrrotullim, por të ketë udhëkryq me semaforë”, deklaroi ai.
Policia e Kosovës vazhdimisht kërkon kujdes nga të gjithë shoferët, por edhe pjesëmarrësit tjerë në trafik që të jenë të kujdesshëm në rrugë dhe t’i respektojnë dispozitat ligjore që burojnë nga ligji mbi trafikun rrugor./UBTNews/