Nga Musa Sabedini
Kur fyhen dhe kërcënohen në mënyrë masive mediet dhe gazetarët që punojnë me ndërgjegje e profesionalizëm, atëherë vetëkuptohet që gjendja mendore e një shtrese të shoqërisë nuk është në rregull. Janë po këta gazetar e media që po sulmohen, e të cilët tash e 23 vite pas luftës, bëjnë përpjekje titanike për ta bërë Kosovën vend me ligje e rregulla evropiane. Janë po këta gazetarë që kanë përjetuar të gjitha format e mundshme të dhunës psikike, të kërcënimeve fizike dhe të shantazheve të të gjitha llojeve.
Mos sulmoni nga këndi i turmës dhe mos hyni në vallen e një lideri të stilit të Kim Youngit sepse jeta është e gjatë e gazetaria e mirë dhe e ndershme përherë triumfon. Kam pasur shumë oferta që të flas e të deklarohem për rastin e “Klan Kosova” dhe në veçanti për sulmet e fundit që po bëhen në drejtim të gazetarëve dhe medieve në përgjithësi.
Duke u munduar ta ruaj maksimalisht shëndetin tim dhe të mos u jap mundësi e hapësirë aspak “turmës sociale”, e kam zgjedhur “distancimin” pozitiv që të shkruaj veç unë kur mendoj se duhet të jap mendimin tim profesional. Por edhe të heshtësh përherë nuk është e drejtë dhe korrekte. Po më bëjnë përshtypje kategoritë e frustrimeve të gjithanshme edhe të shoqërisë civile, edhe të një pjese të gazetarëve servil deri në pikë të fundit, ndaj pushtetit dhe të pjesës tjetër të politikës që bëjnë argatllak ose e kanë detyrë dhe obligim partiak me fye dhe linçua tërë ditën ata gazetar e media që janë kundër “hyjnisë” së paprekur të kultit të liderit. Kur në një shoqëri që ka synim, vlerat evropiane sulmohen aq keq, aq rëndë dhe aq pa shije e pa fakte mediet, në vend se të jetë e kundërta, diçka tregon se nuk është në rregull me gjendjen mendore, etike dhe intelektuale të tyre.
E kam ndarë në tri këndvështrime këtë opinion timin sepse aktualisht në Kosovë ka shumë efekt mënyra e interpretimit dhe jo e filozofisë. Pse po na sulmoni? Vërtet është një pyetje shumë e pa vend, po që zanafilla lind me qeverisjen Kurti e cila asnjëherë nuk gjeti rehati me “rivalin” e gazetarëve problematik. Mediet kjo vlen për kujtesë të atyre që janë me mijëra kilometra nga Kosova, por që shkruajnë, komentojnë e flasin sikur të ishin 100% në Kosovë, jemi po këta gazetar e media që e kanë kritikuar së pari UNMIK-un, OSBE, EULEX-in dhe pastaj qeveritë e pas luftës, duke filluar nga Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Isa Mustafa e të tjerë ministra, qeveritar, zyrtar e drejtor komunal. Pra nuk jemi zmbrapsur dhe nuk e kemi ndërmend të tërhiqemi për asnjë çmim. Megjithatë dallimi i të bërit gazetari kritike, me atë kohë dhe pjesën e Qeverisë së tanishme është shumë i madh. Edhe Thaçi e Ramushi janë munduar të shtyhen me media, por e kanë humbur betejën, por të paktën nuk janë hakmarrë ndaj gazetarëve në veçanti. Tani situata është krejt ndryshe. Nëse e sulmon ose e kritikon Albin Kurtin, ti si gazetar ske telashe me Kurtin, por me ata robot që i ka instaluar kudo në Kosovë, në familje e shoqëri, që me 10 euro internet në telefon e shtëpi sulmojnë nga të gjitha këndet. E mjerueshme vërtet, e dhimbshme dhe e pafalshme se në çfarë rrethanash po punojmë. Pra, po na sulmoni sepse keni detyra partiake që ta devalvoni çdo sferë të gazetarisë. Asnjëherë nuk them dhe s`kam thënë që e gjithë gazetaria kosovare është në rregull sepse kam mjaft opinione e vlerësime profesionale, ku i kam kritikuar portalet, televizionet në veçanti.
Madje te televizionet edhe sot kam vërejtje sepse na kanë bombarduar me intervista shterpe e protokollare, duke promovuar lider, politikan e analist pa asnjë vlerë e kredebilitet moral e kombëtar. Për me i tregue sërish kësaj “masës sociale” se janë këta gazetar që kanë punuar me djersë dhe me shumë sakrificë në këtë Kosovë, që këta që janë 2000 kilometra larg e quajnë “Kosova e krimit”, po ju jap mjaft argumente. Unë dhe kolegët e mi psh. kemi punuar pas luftës në kushte të mjerueshme dhe s`jemi dorëzuar. Kam punuar në kohën kur UNMIK-u i kërkonte kokat tona pse shkruanim për krimet serbe. Ju kujtoj rastin “Dita” ku unë isha protagonist i shkrimit:”Krimi dhe kriminelet kanë emër dhe mbiemër” dhe isha hetuar gati katër muaj nga polic francez e gjerman.
Nuk e kisha aspak frikën sepse kisha dëshmi dhe foto argumentuese, ama rreziku ishte i madh sepse Kosova ende nuk ishte shtet dhe burgoseshe sa qel e mbyll sytë. Kemi punuar dhe kam punuar në kohën kur në Kosovë nuk kishte rrymë deri në 8 orë në ditë dhe duhej pritur rastin për ta bërë shkrimin, torturë më të rëndë se besoj se mund të ketë për një intelektual, ama kjo pjesa që janë 2000 kilometra larg Kosovës kanë pasur kushte luksoze për dallim nga ne.
Mbi 35 kërcënime me vrasje i kam pasur që nga pas lufta dhe të gjitha nga pjesa e krimit, që u pengonte e vërteta ime që bëja në gazetari. Kisha raste kur ma caktonte edhe orën e vrasjes.”Gazetar sot s`kam kohë mu marrë me ty, po nesër ora 11.00 kam me të vra”..e nxehët kjo a…, po e kam përjetuar në shpirt e lëkurë dhe sërish se kam quajtur Kosovën kriminale sepse doja ta bëja një Kosovë të dashur, të ëmbël edhe për diasporën dhe një Kosovë që sundon rendi e ligji sepse edhe gazetarët janë kontribuues të kësaj fryme pozitive, që erdhi më vonë edhe shpallja e Pavarësisë. Edhe tani fatkeqësisht dikujt i pengon e vërteta dhe me çdo kusht mundohen ta ngulfatin këtë fakt. E vërteta dhemb përherë sikur po ju dhemb e vërteta e Berat Buzhalës i cili realisht është i vetmi që ka nisur një betejë shumë të guximshme për ta shpartalluar mitin e “njerëzve të paprekur të hierarkisë së LVV” dhe normalisht që e kam përkrahur dhe e përkrahi në veçanti pjesën e interpretimit ku Berati po ju tregon shqip se nuk dalloni aspak nga të tjerët, bile ua keni kaluar ish qeverive tjera, me afera e skandale. Pse po na sulmojnë?
Është një term i përgjithësuar dhe vije nga kategoria e politikanëve servil, të zyrtarëve që e kanë detyrë partiake me linque çdo orë e minutë shkrime kundër gazetarëve e medieve. Po na sulmojnë sepse dëshirojnë t`i bëjnë mediet të pavlera, hetimet e mundshme dhe hulumtimet e radhës për afera të duken si jo serioze dhe të përgatitura nga gazetar të shitur e përralla tjera. Po na sulmojnë për të bërë dhe për të na futur në një thes me secilin gazetar që vetën e konsideron gazetar. Ka gazetar që punojnë për interesa të partisë – partive dhe se kam mohuar këtë asnjëherë, ka media që ka punuar për të gjitha qeveritë dhe as kjo s`është mohuar, a ka gazetar që janë bërë të pasur, sigurisht që ka dhe s’është mohuar asnjëherë. Po ama ka gazetar që janë me kredibilitet, me ego dhe me autoritet në këtë fushë që nuk njeh as presion, as shantazh e as kërcënime. Shumë më pengojnë një pjesë e gazetarëve kur natë e ditë shkruan për LVV e qon në qiell Albin Kurtin, sulmon pa ndërprerë gazetarët kosovar dhe në fund thotë unë jam i pavarur. Jo me ose pa vetëdije je argat i dreqit dhe i fushatës linçuese kundër gazetarëve. Edhe nëse ta zam do të ishte e saktë kjo e Rozeta Hajdarit rreth Klan Kosovës, sërish është e pafalshme me u mbyll një medium dhe me mbet në rrugë 200 gazetarë.
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dje ka thënë se nuk është fshehtësi që Amerika dhe partnerët ndërkombëtarë janë të brengosur thellë me vendimin për tërheqjen e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.
“Kemi lëshuar qëndrim bashkë me ambasadat e vendeve të QUINT-it, disa orë pas vendimit për tërheqje të licencës së biznesit. Ne nuk e shohim këtë çështje vetëm si regjistrim të biznesit, por si çështje të lirisë së medias dhe si të tillë e adresojmë”, është shprehur Hovenier.
Pra rasti i Klan Kosovës i tejkalon problemet dhe procedurat teknike edhe sikur të ishin krejt ashtu siç thotë Qeveria. Pse? Sepse ka pasur mjaft kohë e hapësirë për të kryer këto procedura dhe jo me fillue me hakmarrje dhe linçime. Pse po heshtim? Bojkoti i konferencës nga ana e gazetarëve ishte një shembull pozitiv dhe një fije shprese se diçka e mirë do të ndodhë. Ne kemi heshtur shumë, kemi duruar shumë, jemi treguar shumë të pa organizuar si komunitet i gazetarëve. Me raste kam heshtur edhe unë sepse jo të gjithë në Kosovë janë gazetar e media. Unë jam kureshtar dhe i shoh të gjitha portalet dhe i lexoj dhe i përcjell. E di saktë se kush bën gazetari institucionale, kush bën gazetari servile e kush gazetari kujdestarie. Kjo dihet tashmë, por u takon medieve vendore të distancohen nga këto kategori gazetarësh.
Heshtjen tonë dhe durimin tonë më së miri e kanë shfrytëzuar të gjitha pushtetet e sidomos kjo e fundit i ka vënë kapakun. Albin Kurti nëse ka ndonjë këshilltar me tru të kthjellët duhet urgjentisht ta edukoj dhe vetëdijesoj stafin qeveritar, njerëzit që e rrethojnë atë se lufta me media është luftë e humbur për të dhe të gjithë ata që e kanë në zemër e në shpirt veprimi linçimin. Kurse kolegët dhe gazetarët e të gjitha zhanreve duhet të bëhen bashkë, duhet të jenë unik dhe të ndërgjegjshëm për çdo veprim të tyre. Jemi në një situatë që duhet ta mbrojmë me çdo kusht lirinë tonë së pari individuale e pastaj profesionale.
Nga “turmat sociale” jam i bindur që i fundit do të pësojë edhe vet Kurti dhe të tjerët. E dua një gazetari aktive që është e ndërtuar mbi faktet, argumentet, objektivitetin e ndershmërinë. Një gazetar që ka ndershmëri profesionale ai asnjëherë nuk mund të dështojë. A kemi “vrima të zeza” edhe në mesin e gazetarëve, sigurisht që ka, por për dallim nga pjesa e madhe që mundohen të bëjnë gazetari korrekte është shifër e izoluar.
Autori është gazetar e publicist dhe ligjërues në UBT