UBT News

Pse përpjekjet individuale për të përmirësuar përqendrimin nuk funksionojnë plotësisht?

“Më quani mbretëreshë të dramave, por ndjej se përqendrimi im i dobësuar po më bën të humb kontrollin mbi jetën time”, tha Mina për Deutsche Welle, një studente 21-vjeçare e financave në Barcelonë.

Ajo do që të shkëlqejë në programim sepse kjo do t’i ndihmonte ta gjente një punë që paguhet mirë, por çdo ditë po e ka më të vështirë që të fokusohet thellë në materialet e shkollës.

Sa herë që ajo përpiqet të ushtrojë në kodim, e kaplon një ndjenjë mërzie dhe shqetësimi dhe e dekoncentron atë. Pastaj ajo merr telefonin, kontrollon rrjetet sociale, i shkruan dikujt apo luan me lojëra.

“Nuk ka të bëjë vetëm me produktivitet. E kam të vështirë gjithashtu të përfundoj leximin e romaneve dhe librave që më pëlqejnë ose rreth hobive që kërkojnë njëfarë niveli energjie mendore”, tha Mina, e cila refuzoi ta tregojë mbiemrin e saj nga frika se mos punëdhënësit e saj të ardhshëm do të kërkojnë për të në rrjete sociale.

Me probleme tilla po përballen edhe përdoruesit e tjerë të rrjeteve sociale. Pyetjet sikurse “Si të fokusohem?” dhe “Pse s’po mund të koncentrohem?” janë më të kërkuarat në Google.

Përmes librave, artikujve, podkasteve të panumërta, etj, janë përpjekur t’u përgjigjen këtyre pyetjeve, kryesisht duke prezantuar metoda dhe këshilla që supozohet se do t’i ndihmojnë individët të forcojnë fokusin e tyre dhe të lundrojnë në jetën e tyre përmes asaj që titujt e quajnë sot ‘botë e shpërqendruar’. Por sa është serioze çështja e koncentrimit? A ia dalim që përmes metodave të tilla ta zgjidhim këtë problem të përhapur gjerësisht?

Çfarë po ndodhë me ne?

Me gjasë nuk ka asnjë studim që mund të ketë matur ndryshimet në aftësitë e përqendrimit te njerëzit gjatë dy brezave. Disa dokumente kërkimore sugjerojnë se vëmendja e punonjësve të zyrës dhe studentëve ka rënë. Por disa studimet tjera argumentojnë se kjo varet nga një sërë faktorësh si; detyrat, rrjedha e punës, dhe faktorët mjedisorë sikurse ndriçimi i klasës apo zyrës.

Studimet tjera theksojnë efektet e dëshme të rritjes së përdorimit të rrjeteve sociale dhe kohës së gjatë para ekranit në aftësitë tona njohëse, si te koncentrimi.

Të krijuara për të stimuluar vazhdimisht trurin, algoritmet e mediave sociale synojnë t’i lidhin njerëzit me përmbajtje të shkurtra për orë të tëra, duke e bërë të vështirë ruajtjen e koncentrimit të thellë në detyra më pak argëtuese.

Megjithatë, jo të gjithë pajtohen se mospërqendrimi dhe koha e gjatë para ekranit janë domosdoshmërisht shenja të këqija.

“Është e vërtetë se në krahasim me të kaluarën, njerëzit tani po u kushtojnë vëmendje gjërave që janë shumë më të vogla dhe nuk zgjasin shumë; gjëra të tilla si tweet-et kundrejt librave”, tha për DW Thomas Hills, profesor i psikologjisë në Universitetin e Warwick.

“Por kjo mund të nënkuptojë se ne kemi dalë me mënyra më të shkurtra dhe më të shpejta për të dërguar informacionin”, shtoi ai tutje.

“Ne jemi të mbuluar vazhdimisht nga copëza informacioni këto ditë, të cilat konkurrojnë ashpër për të tërhequr vëmendjen tonë”, tha Hills.

“Por ne duhet të përshtatemi me to dhe të formojmë jetën tonë sipas tyre”, shtoi ai.

“Ajo çfarë ne duhet të bëjmë është t’ua mësojmë njerëzve aftësitë e nevojshme të menaxhojnë kohën dhe të mbrojnë shëndetin e tyre mendor”, deklaroi më tej Hills.

“Nuk është faji juaj”

Por sipas Johann Har, autor i librit më të shitur “Stolen Focus”, problemi është më kompleks. Problemet me përqëndrim janë më të thella sesa kurrë, i tha ai DW-së, duke shtuar se kultura dhe shoqëria po i kontribuojnë kësaj.

Ne jemi të rrethuar nga forca të mëdha që degradojnë aftësinë tonë për t’u përqendruar, shpjegon Hari në librin e tij. Krahasuar me rreth njëqind vjet më parë, ne flemë më pak se dikur, bëjmë gjumë jocilësor për shkak të ekspozimit tonë të vazhdueshëm ndaj dritave të shndritshme të ekranit. Ka rritje të ankthit kronik, veçanërisht te personat në situata të pasigurta financiare, i cili ka rezultuar se dëmton përqendrimin.

Dietat e këqija, zakonet e pashëndetshme të të ngrënit, për të mos përmendur ndotjen, kanë gjithashtu efekte të qëndrueshme, dëmtuese në funksionimin e trurit.

Ndër fajtorët më të rëndësishëm janë kompanitë e mëdha të teknologjisë, modeli i biznesit i të cilave mbështetet në maksimizimin e kohës që njerëzit shpenzojnë në platformat e mediave sociale.

“Nëse e shihni këtë si një problem individual, ju jeni të bllokuar”, tha Hari. “Ne duhet të ndalemi së fajësuari veten dhe me forcat tona duhet t’i ndalojmë ata që vazhdojnë ta bëjnë këtë”.

Pa veprim kolektiv, zgjidhjet personale do të kenë ndikime të kufizuara dhe në shumë raste të përkohshme, sipas Harit.

Një nga këshillat e vazhdueshme është të largoheni nga ekrani, por fatkeqësisht ata që punojnë me pajisje kompjuterike e kanë të vështirë këtë.

Përqendrimi i dobët është shfaqur në qendër të lëvizjeve dhe nismave të shumta deri më tani. Qendra për Teknologjinë Humane (CHT), një organizatë jofitimprurëse, synon të ndalojë algoritmet e teknologjisë që të na shpërqendrojnë vazhdimisht dhe t’i detyrojë ato të respektojnë vëmendjen e përdoruesve.

Që nga viti 2013, CHT ka bërë fushatë për ndryshime të vogla të tilla si heqja e veçorive si njoftimet, si dhe lobimi për rregulla më strikte mbi përdorimin e teknologjisë, për të reduktuar kohën që njerëzit e kalojnë me pajisjet e tyre./UBTNews/

Përktheu dhe përshtati UBTNews

Exit mobile version