Në qytetin Terrassa të Spanjës, autoritetet kanë ndaluar përkohësisht adoptimin e maceve të zeza deri më 1 nëntor.
Kjo masë është marrë në prag të Halloween-it, për të parandaluar adoptimet e motivuara nga supersticionet apo ritualet e magjisë, që shpesh shoqërohen me këtë periudhë.
Në një video të postuar në Instagram, Noel Duque Alarcón, Këshilltar për Mirëqenien e Kafshëve në bashki, shpjegoi vendimin:
“Në Terrassa, nëse dëshironi të adoptoni një mace të zezë, do të duhet ta bëni këtë pas Halloween-it,” – tha ai, duke shtuar se qëllimi i pezullimit është të parandalohet abuzimi dhe të rritet ndërgjegjësimi për adoptimin e përgjegjshëm.
Sipas Qendrës Veterinare Bashkiake, në vitet e kaluara është vërejtur një rritje e pazakontë e kërkesave për mace me qime të errëta gjatë ditëve para Halloween-it, një fenomen që ka ngritur dyshime se jo të gjitha adoptimet bëhen për motive humane.
“Dyshojmë se jo gjithmonë ekziston një qëllim i vërtetë për të adoptuar,” – shpjegoi Duque, duke theksuar se masa është marrë për të mbrojtur kafshët dhe për të shmangur çdo rrezik të panevojshëm.
Vendimi është pritur pozitivisht nga organizatat për mbrojtjen e kafshëve, të cilat e cilësojnë këtë hap si një masë parandaluese të nevojshme për të mbrojtur macet e zeza – kafshë që shpesh janë viktima të paragjykimeve dhe miteve të lashta. /A.Z/UBT News/