UBT News

Pse Mark Zuckerberg mund të detyrohet të shesë Instagram dhe WhatsApp?

Kompania Meta, në pronësi të Mark Zuckerberg, është duke u përballur me një gjyq vendimtar në SHBA, që mund të çojë në ndarjen e saj nga platformat Instagram dhe WhatsApp.

Procesi gjyqësor nisi më 14 prill, pas një hetimi gjashtëvjeçar nga Komisioni Federal i Tregtisë, që pretendon se Meta ka shkelur ligjet e konkurrencës.

Sipas padisë, Meta përdori praktika antikonkurruese për të mbrojtur dominimin në tregun e rrjeteve sociale personale.

FTC pretendon se blerjet e Instagram më 2012 dhe WhatsApp më 2014 ishin mënyra për të eliminuar kërcënimet konkurruese ndaj Facebook. Në dokumente citohet një email i Zuckerberg nga viti 2008 ku thuhet: “Është më mirë të blesh sesa të konkurrosh”.

Për më tepër, Meta akuzohet se ka vendosur kushte kufizuese për zhvilluesit që përdorin platformën e saj, në mënyrë që të frenojë rritjen e konkurrentëve potencialë. FTC argumenton se kjo sjellje ka dëmtuar përdoruesit, duke kufizuar zgjedhjen, cilësinë dhe inovacionin në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër, Meta i është përgjigjur akuzave me një deklaratë ku i konsideron pretendimet e FTC-së si të dobëta dhe të shkëputura nga realiteti.

Jennifer Newstead, drejtuese e çështjeve ligjore në Meta, theksoi se tregu i rrjeteve është kompleks përfshin konkurrentë si TikTok, YouTube, iMessage dhe X.

Sipas saj, Instagram ka përfituar nga blerja nga Meta e ofron përvojë më të mirë për përdoruesit. Megjithatë, nëse Meta humbet procesin, Zuckerberg mund të detyrohet të shesë Instagram dhe WhatsApp – një vendim që do të kishte pasoja të mëdha për të ardhmen e rrjeteve sociale globale.

Exit mobile version