Japonia renditet më e dobëta në mesin e vendeve të G7 kur bëhet fjalë për lirinë e medias. Cenueshmëria e gazetarëve, presioni i qeverisë dhe poashtu kultura e vetëcensurës janë për t’u fajësuar, thonë ekspertët.
Japonia u ngjit me tre vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2023, por është ende në vendin e 68-të nga 180 vende dhe rajone të anketuara për studimin vjetor të Reporterëve pa Kufij.
Kjo e rendit ekonominë e tretë më të madhe në botë në fund të vendeve të G7 për sa i përket lirive të medias, dhe gjendet mes Lesotos dhe Panamasë në listë.
“Japonia, një demokraci parlamentare, mbështet parimet e medias dhe pluralizmit”, thoshte studimi, i botuar më 3 maj. “Megjithatë, pesha e traditave, interesave ekonomike, presionit politik dhe pabarazive gjinore i pengon gazetarët të ushtrojnë plotësisht rolin e tyre”.
Pretendimet e Japonisë për lirinë e shtypit dëmtohen veçanërisht nga një sistem klubesh shtypi të miratuara nga qeveria për ministritë dhe tendenca e medias për të vetëcensuruar me presionin më të vogël nga qeveria ose partnerët me ndikim të biznesit, sipas akademikëve dhe gazetarëve.
“Liria e fjalës është e garantuar në Japoni sipas nenit 21 të Kushtetutës, por ka probleme – siç është sistemi i klubit të shtypit – prandaj Japonia renditet kaq poshtë në indeks”, tha Renge Jibu, profesoreshë.
Revista e përjavshme e lajmeve Shukan Bunshun raportoi për herë të parë në 1999 se Kitagawa, themeluesi i agjencisë së talenteve Johnny & Associates, kishte abuzuar seksualisht me ata që apironin të ishin yje të pop-it.
Nga frika se mos humbisnin mundësinë e tyre për të arritur famën dhe pasurinë, asnjë nga të rinjtë nuk ishte i gatshëm të paraqiste ankesa zyrtare në polici dhe Kitagawa mbeti i lirë të abuzonte me më shumë djem deri në vdekje, më korrik 2019.
Dhe, pavarësisht se aktivitetet e Kitagawa-s ishin një sekret i hapur në botën e showbizit të Japonisë, mediat kryesore e shpërfillën problemin.
Një gazetar amerikan, i cili ka punuar për një gazetë japoneze për 30 vjet, vuri në dukje se kultura e vetëcensurës së medias japoneze shkon më thellë sesa thjesht gazetat, stacionet televizive dhe radiofonike që tërhiqnin njerëzit për tema të diskutueshme.
“Nuk është lloji i censurës zyrtare që shohim në Kinë, Korenë e Veriut apo vendet e tjera që janë në fund të listës”, thotë ai, i cili kërkoi të mos përmendet nga frika se mos humbiste punën e tij.
“Dhe nuk është vetëm autocensurë, që do të thotë se gazetarët nuk bëjnë pyetje të vështira. Është atmosfera e lirisë shoqërore dhe intelektuale që bën të mundur për gazetarët të bëjnë punën e tyre”.
“Nuk ka asnjë atmosferë që inkurajon diskutimin e çështjeve të rëndësishme sepse gazetarët e dinë se nëse bëjnë pyetje të vështira mund të ndëshkohen” tha ai.
Rezultati është një media që raporton saktësisht atë që qeveria dhe biznesi i madh dëshiron që ajo të raportojë bazuar në njoftimet zyrtare dhe një publik që shpesh mbahet në errësirë, shtoi ai. “Dhe kjo, për mua, do të thotë se media këtu po i bën një dëm të madh njerëzve”.
/Marrë me shkurtime nga DW/UBTNews/