Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që më 21 prill të mbahen votime në katër komunat veriore të Kosovës që janë të banuara me shumicë serbe.
Në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, qytetarët do të votojnë për largimin nga detyra e kryetarëve të këtyre komunave.
Profesori universitar, Veton Zejnullahi pret që qytetarët e asaj pjese të Kosovës do të marrin pjesë masivisht në votime.
“Ata e kanë parë gabimin të cilin e kanë bërë dhe presionin nga forcat demokratike që i kanë në opinionin serb. Ata kanë bërë shumë presion që qytetarët serbë të dalin dhe të marrin pjesë në zgjedhje në mënyrë masive për pushtetin lokal. Sepse sa më larg pushtetit ata s’do të mund të realizojnë qëllimet e tyre. Por edhe interesi jonë kombëtar është që ata të marrin pjesë në zgjedhje jo që t’i largojnë nga proceset zgjedhore”, deklaroi ai.
Rëndësia e këtyre zgjedhjeve sipas Zejnullahit qëndron edhe te heqja e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian i kishte vendosur për Kosovën.
“Bashkësia ndërkombëtare do t’i përkrah këto zgjedhje. Edhe çka është me më rëndësi ky është një nga kushtet që neve të na hiqen masat ndëshkuese që na i ka vendosur BE-ja, për të cilat shihet se ne veçse po i vuajmë pasojat, sepse i kemi humbur diku me qindra miliona euro. Faji nuk ka qenë i joni. Faji jonë ka qenë ngutia. Edhe bashkësia ndërkombëtare do t’i përkrah këto zgjedhje, do t’i përkrah edhe kryetarët”, shtoi ai.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal përmes një udhëzimi adiminsitrativ u kishte mundësuar qytetarëve që përmes një peticioni të largojnë kryetarët e komunave.
Që votimi të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.
Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme./UBTNews/
Realizoi: Dea Berisha