Tërmetet e fuqishme bënë që ndërtesat shumëkatëshe të shemben në tokë në pjesë të Turqisë dhe Sirisë, duke lënë të vdekur mijëra njerëz.
Dy linja të mëdha thyerje përgjatë Pllakës së Anadollit kanë gjeneruar një numër tërmetesh të mëdha. Tërmeti i parë me magnitudë 7.8 ballë mëngjesin e së hënës, që u pasua nga një tërmet me magnitudë 7.6 disa orë më vonë, kishte po të njëjtën magnitudë si tërmeti i vitit 1939 në Turqinë verilindore ku mbetën të vdekur 30 mijë persona.
Një tërmet me magnitudë 7.4 goditi qytetin perëndimor të Izmit në vitin 1999, ku mbetën të vdekur mbi 17 mijë njerëz.
Ekspertët thonë se disa faktorë e kanë komplikuar ngjarjen sizmike.
“Një nga arsyet pse numri i viktimave ka qenë kaq i lartë është cilësia e dobët e ndërtesave”, i tha Al Jazeera-s, Mustafa Erdik, profesor në Observatorin Kandilli të Universitetit Bogazici dhe Institutin e Tërmeteve në Stamboll.
Në strategjinë Kombëtare të Turqisë për Tërmetet dhe Planin e Veprimit për vitet 2012-2023, thuhet se për shkak të migrimit masiv dhe të shpejtë gjatë viteve 1950 ndikoi që zhvillimi urban të mos mbikëqyret siç duhet, duke ndikuar që qytetet të bëhen të prekshme ndaj rreziqeve natyrore.
Pas tërmetit të vitit 1999, institucionet e Turqisë e konsideruan nevojë urgjente për të reduktuar rreziqet në një vend të prirur ndaj tërmeteve, dhe një vit më vonë u miratua legjislacioni për të zbatuar kontrollet e detyrueshme të projektimit dhe inspektimet e ndërtimit në të gjitha ndërtesat.
Ato që u ndërtuan sipas kodeve të projektimit janë rezistente ndaj tërmeteve, megjithatë janë të pakta.
“Ato që janë shembur datojnë para vitit 2000″, tha Erdik.
Agjencia e vendit për fatkeqësitë njofton se mbi 5 mijë e 600 ndërtesa janë shembur në të gjithë Turqinë juglindore. Të paktën dy spitale, një në Hatay dhe një në Iskenderun, janë mes tyre, tha korrespondentja e Al Jazeera-s në Stamboll, Sinem Koseoglu. Sipas saj, përmasat e mëdha të shumë ndërtesave shumëkatëshe po i vështirësojnë përpjekjet e shpëtimit pasi ende po regjistrohen pasgoditje të dhunshme.
Një tjetër arsye pse ka numër kaq të lartë të viktimave është koha e goditjes së tërmetit të parë. Tërmeti goditi në orën 04:17 të mëngjesit ndërsa njerëzit po flinin dhe shumë prej tyre u bllokuan nën rrënoja.
Ndërtesat moderne nuk janë të vetmet të dëmtuara. Kalaja e Gaziantepit, e cila daton që nga mbretëria hitite dhe u zgjerua nën Perandorinë Romake, është shembur pjesërisht.
Qeveria turke ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme të nivelit 4, e cila përfshin thirrjen për ndihmë ndërkombëtare si dhe mobilizimin e të gjitha forcave kombëtare.
Chris Elders, profesor në Universitetin Curtin të Australisë, tha se thellësia e tërmetit të parë në rreth 18 km (11 milje) ndikoi që ai të jetë kaq vdekjeprurës.
Në një thellësi të cekët, tha ai, “energjia që lëshohet nga tërmeti do të ndihet mjaft afër sipërfaqes me intensitet shumë më të madh sesa nëse do të ishte më thellë në kore”.
Naci Gorur, një sizmolog në Akademinë e Shkencave të Turqisë, u bëri thirrje zyrtarëve lokalë që të kontrollojnë menjëherë digat e rajonit për të çara për të shmangur përmbytjet potencialisht katastrofike.
Sirisë i mungojnë burimet për t’iu përgjigjur emergjencës
Në Sirinë fqinje, ndërtesat u raportuan se janë shembur në një zonë përgjatë kufirit turk që shtrihet nga Alepo dhe Hama në qytetin turk të Dijarbakirit, më shumë se 330 km (200 milje) në verilindje.
Organizatat humanitare kishin frikë se numri aktual i të vdekurve në Siri mund të rritet pasi ekipet e shpëtimit janë jashtëzakonisht të papajisura për t’iu përgjigjur urgjencës.
“Makinat janë të vjetra dhe nuk ka mjaftueshëm ekskavatorë për të ndihmuar”, tha për Al Jazeera, Mey Al Sayegh, zëdhënëse e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Tanya Evans, drejtoreshë për Sirinë për Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit, tha se tërmeti ishte “një goditje tjetër shkatërruese për një shumë popullsi të cenueshme që tashmë po lufton pas disa vitesh konflikti”.
Raportet e para tregojnë se ndikimi u vërejt veçanërisht në zonat ku jetojnë një numër i madh familjesh të zhvendosura dhe të cenueshme, ashtu si vendi është goditur nga një stuhi dëbore dhe temperaturat kanë rënë./UBTNews/