Ish-bashkëshorti i këngëtares australiane Sia ka kërkuar më shumë se 250 mijë dollarë në muaj si pagesë për mbështetje bashkëshortore, sipas dokumenteve të dorëzuara në një gjykatë në SHBA, raporton BBC.
Sia, e njohur për hitet ndërkombëtare “Chandelier” dhe “Titanium”, paraqiti kërkesën për divorc në mars, duke përmendur “mospërputhje të papërmirësueshme” me bashkëshortin e saj, Daniel Bernard.
Në dokumentet gjyqësore, Bernard një ish-mjek – tha se kishte nevojë për këtë shumë për të ruajtur “stil jetese luksoz dhe të klasës së lartë” që kishte pasur gjatë martesës me këngëtaren.
Ai pretendoi se ishte bërë financiarisht i varur nga Sia, pasi kishte lënë profesionin e tij për të ndjekur një biznes të përbashkët mjekësor, i cili zgjati shumë pak. Çifti, që u martua në dhjetor 2022, ka një djalë 18-muajsh. Dokumentet zbulojnë se ata shpenzonin më shumë se 400 mijë dollarë në muaj për udhëtime me avion privat, pushime luksoze, darka në restorante ekskluzive dhe staf të përhershëm shtëpiak.
“Nuk kemi pasur kurrë nevojë të kontrollonim shpenzimet tona,” – ka shkruar Bernard në deklaratën e tij.
47-vjeçari theksoi se kërkesa për mbështetje të përkohshme financiare është “e domosdoshme”, pasi Sia ishte mbajtësja kryesore e familjes.
Ai shtoi se për t’u rikthyer në profesionin e tij si mjek do t’i duheshin vite trajnimi dhe disa provime të vështira për të rifituar licencën e punës. Bernard ka kërkuar që Sia të mbulojë kostot ligjore dhe shpenzimet e auditimeve financiare të procesit. /A.Z/UBT News/