UBT News

Pse imazhi i Gazës, një nga vendet më të populluara, është i turbullt dhe i paqartë në Google Maps?

Kjo është një çështje që është përmendur nga studiuesit duke përdorur informacion me burim të hapur, në dispozicion të publikut – përfshirë të dhënat e hartës – për të lokalizuar sulmet dhe për të dokumentuar shkatërrimin.

Në fakt, shumica e Izraelit dhe territoreve palestineze shfaqen në Google Earth si imazhe satelitore me rezolucion të ulët. Mezi është e mundur të shohësh makinat në qytetin e Gazës.

Nëse e krahasojmë atë me Pyongyang, kryeqytetin e fshehtë të Koresë së Veriut, makinat shihen qartazi, madje është e mundur edhe të vëresh njerëz.

Pse janë të rëndësishme imazhet satelitore?

Në konfrontimin e fundit në Izrael, hetuesit po kërkojnë të vërtetojnë vendet e shkatërruara ku janë hedhur raketat dhe ndërtesat e synuara në Gaza, duke përdorur satelitët.

“Fakti që nuk marrim imazhe satelitore me rezolucion të lartë nga Izraeli dhe territoret palestineze na tërheq mbrapa”, thotë Samir, një hetues në hulumtim.

“Imazhi më i fundit i Google Earth është nga 2016 dhe duket si “plehra”. Unë e afroj në një zonë të rastësishme rurale të Sirisë dhe ka pasur 20+ imazhe të marra që nga ajo kohë, me rezolucion shumë të lartë”, shkroi Aric Toler, një gazetar i Bellingcat.

Google thotë se qëllimi i saj është të “mbajë vende të populluara dendur të freskuara rregullisht”, por e njëjta nuk ka ndodhur me Gazën.

A janë në dispozicion imazhe me rezolucion të lartë?

Deri në vitin e kaluar, qeveria amerikane kufizoi cilësinë e imazheve satelitore që kompanitë amerikane lejoheshin të siguronin mbi baza tregtare.

“Ne [Izraeli] gjithmonë do të preferonim të fotografoheshim në rezolucionin më të ulët të mundshëm”, tha Amnon Harari, shefi i programeve hapësinore në Ministrinë e Mbrojtjes të Izraelit.

Pasi u vu në presion, kompanitë amerikane tani ofrojnë imazhe me cilësi më të lartë të rajonit.

Atëherë, pse Gaza është ende e paqartë?

Në përgjigjet që Apple dhe Google u kanë dhënë BBC-së, nuk shihet ndonjë përpjekje për të ndërruar situatën menjëherë.

Apple tha se po punonte për të azhurnuar hartat e saj së shpejti në një rezolucion më të lartë.

Ndërsa Google tha që imazhet e saj vijnë nga një sërë ofruesish dhe konsideron “mundësitë për të rifreskuar imazhet satelitore ndërsa imazhet me rezolucion më të lartë bëhen të disponueshme”. Por shtoi se nuk kishte “plane për të ndarë kohë për këtë”.



Kush i bën në të vërtetë imazhet?

Maxar dhe Planet Labs, dy nga më të mëdhenjtë, tani po bëjnë të disponueshme imazhe me rezolucion të lartë të Izraelit dhe Gazës.

Këto fotografi me cilësi shumë më të lartë mund të zbulojnë detaje deri në gjysmë metri ose më pak.

“Si rezultat i ndryshimeve të fundit në rregulloret e SHBA, imazhet e Izraelit dhe Gazës po sigurohen me rezolucion 40 cm”, tha Maxar në një deklaratë.

Çfarë tjetër mund të zbulojë imazhe me rezolucion të lartë?

Imazhet satelitore përdoren për shumë qëllime, duke përfshirë gjurmimin e shpyllëzimeve dhe zjarreve në pyje, si dhe hetimin e abuzimeve të të drejtave të njeriut në të gjithë botën.

Studiuesit në Human Rights Watch u bashkuan me ofruesit satelitorë Planet Labs në 2017 për të treguar shkatërrimin e fshatrave Rohingya nga ushtria në Mianmar.

Imazhet u mundësuan atyre të hartonin shkallën e dëmtimit të më shumë se 200 fshatrave në zonë, duke krahasuar imazhe satelitore me rezolucion 40cm të këtyre zonave nga para dhe pas.

Provat duket se vërtetojnë pretendimet nga Rohingya, të arratisur nga Myanmar në Bangladeshin fqinj, pasi që shtëpitë e tyre ishin shënjestruar nga ushtria. Imazhet satelitore kanë qenë gjithashtu thelbësore në ndjekjen e asaj që po ndodh në rajonin Xinjiang të Kinës, përfshirë rrjetin e qendrave të “riedukimit” të ngritura atje për Ujgurët./UBTNews

(Arjeta Ibishi, studente në Media dhe Komunikim në UBT)

Exit mobile version