Pavarësisht nëse është dita kur lindi motra juaj, dita kur i morët një lodër vëllait tuaj, apo hera e parë që u rrëzuat nga biçikleta, ka të ngjarë që të keni qenë rreth moshës 3 ose 4 vjeç kur keni pasur kujtesën tuaj të parë, teksa shumica prej nesh, nuk priren që të kujtojnë ndonjë gjë para kësaj moshe.
Megjithatë, disa njerëz në moshë të rritur mund të sjellin ndërmend edhe kujtime nga mosha 2-vjeçare, ndërsa të tjerët mund të mos mbajnë mend asgjë deri në moshën 7 ose 8 vjeç. Edhe kujtimet që kemi nga mosha 3-7 vjeç janë episodike.
Nga mijëra ngjarje që përjetojmë gjatë fëmijërisë sonë, do të kujtojmë vetëm disa, dhe aq më pak kur rritemi.
Kjo dukuri e njohur si “amnezia infantile”, u vu re nga babai i psikanalizës Sigmund Frojd, dhe ka mbetur një mister për studiuesit për më shumë se 100 vjet.
Vite më parë, shkencëtarët mendonin se truri i fëmijëve nuk mund të krijonte kujtime të qëndrueshme. Por tani e dimë se foshnjat e moshës vetëm 6-muajshe, mund të formojnë kujtime afatshkurtra që zgjasin disa minuta, dhe kujtime afatgjata që zgjasin për disa javë. Ndërkohë 5-vjeçarët kanë kujtime që mund të zgjasë me vite. Por kur mbushim 7-vjeç, priremi të fillojmë të humbasim kujtimet tona më të hershme. Gjatë viteve të para të jetës sonë, truri ynë krijon miliona lidhje (sinapse) thellë brenda një zone të njohur si hipokampus. Pikërisht atje ne formojmë kujtime episodike. Pra kujtime të ngjarjeve që na kanë ndodhur. Kujtimet tona të mëparshme, janë më të rrezikuara që të harrohen. Por në moshën 11-vjeçare, kujtimet tona episodike bëhen gradualisht më të ngjashme me të rriturit, dhe vazhdojnë të maturohen deri në adoleshencën tonë të vonë.
Në vitin 1953, 27-vjeçari Henri Gustav Molaison (i njohur më shpesh si H.M.) iu nënshtrua neurokirurgjisë eksperimentale për të mbajtur nën kontroll sëmundjen e epilepsisë. Kirurgët ia hoqën hipokampusin dhe disa nga zona përreth kësaj pjesë të trurit.
Megjithëse operacioni i reduktoi krizat e tij epileptike, Molaison nuk mund të krijonte më kujtime të reja afatgjata. Gjithsesi, ai mund të kujtonte ende fakte rreth botës para operacionit. Para operacionit të Molaison, mendohej se kujtimet ruheshin në të gjithë trurin.
Por ajo ndërhyrje kirurgjikale e revolucionarizoi kuptimin tonë mbi kujtesën, duke treguar se hipokampusi është shumë i rëndësishëm për kujtimet episodike dhe autobiografike, dhe se pjesë të ndryshme të trurit, janë përgjegjëse për lloje të ndryshme të kujtesës.
Pasi kemi krijuar shumë lidhje të trurit gjatë fëmijërisë sonë, ne kemi shumë më tepër kujtime në vitet tona të hershme sesa gjatë moshës madhore. Ky proces njihet si “krasitja sinaptike”, versioni i seleksionimit natyror që bën truri.
Ky proces ndihmon për të skalitur në trurin tonë të fëmijërisë/adoleshencës një version më efikas të të rriturve, duke i zhdukur lidhjet e dobëta, të papërdorura apo të panevojshme dhe duke lënë lidhjet më të forta dhe më të dobishme për të mësuar më shumë.
Edhe kujtimet tona më të hershme mund të mos jenë kujtime, por përkundrazi ato janë formuar nga foto ose histori, edhe nëse bazohen në ngjarje reale. Por edhe më e habitshme: afro 40 për qind prej nesh, kanë krijuar plotësisht detaje të kujtesës sonë të parë.
Truri ynë nuk ka aftësinë për të ruajtur kujtimet episodike, derisa të jemi të paktën 2 vjeç. Ndoshta motra juaj ju tregoi një foto të tortës suaj të mrekullueshme të ditëlindjes së parë, apo nëna ju tregoi për kohën kur menduat se do të ishte qesharake të pikturonit vëllain tuaj. Kujtimet tona të hershme janë fluide. Sa herë që tregohet një histori, disa pjesë mund të humbasin ose ndryshohen, dhe mund të përfshihen pjesë më të reja. Si fëmijë, ne kemi shumë më tepër gjasa se sa të rriturit për t’i krijuar këto kujtime të rreme.
Është interesant fakti se mosha mesatare në të cilën kemi kujtimet tona të para, mund të ndryshojë me 2 vjet midis kulturave të ndryshme. Ndërsa një neozelandez i ri i popullit vendas Maor mund të kujtojë pjesëmarrjen e tij në një martesë në fis që në moshën 2 vjeç e gjysmë, një i rritur koreano-jugor mund të mos kujtojë asgjë deri në moshën 4 vjeç e gjysmë.
Theksi që i vënë Maorët të kaluarës dhe ritregimi i shpeshtë i historive familjare, bën që ata të kenë kanë kujtimet më të hershme në krahasim me çdo kulture tjetër.
Po ashtu stili i tyre shumë i detajuar i rrëfimit, ndikon mbi mënyrën sesi fëmijët e tyre do të kujtojnë në jetën e tyre të mëvonshme. Ndërkaq, kulturat që vlerësojnë autonominë personale, priren të kenë kujtime më të hershme, sesa kulturat që vlerësojnë më shumë lidhjet sociale.