UBT News

Pse Gorbachev mbahet mend si gjigant në Perëndim e paria në shtëpinë e tij?

Analizë nga Stephen Collinson, CNN

Tragjedia e Mikhail Gorbachev është se ai e mbijetoi shkrirjen në Luftën e Ftohtë mes Moskës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi i dha fund asaj.

Lideri i fundit i Bashkimit Sovjetik vdiq të martën në moshën 91-vjeçare, në periudhën kur Uashingtoni dhe Kremlini janë në anët e kundërta të luftës së nxehtë të presidentit rus, Vladimir Putin, në Ukrainë, që u nis pjesërisht për t’u hakmarrë ndaj kolapsit sovjetik të nxitur nga sundimi i Gorbaçovit.

Është vështirë të përmblidhet se çfarë roli kishte ai për Perëndimin në vitin 1980, pas një prej periudhave më të rrezikshme të përplasjes midis Lindjes dhe Perëndimit. Pas liderëve të ashpër, armiqësorë, të moshuar të Kremlinit, ai ishte i ri, modern dhe i freskët — vizionar dhe reformator.

Gorbachev ngjalli shpresë se përballja bërthamore që shqetësoi botën në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të, nuk do të përfundonte me shkatërrimin e qytetërimit. Presidenti Ronald Reagan dhe shoqja e tij shpirtërore, Margaret Thatcher, ishin luftëtarët më të ashpër të Luftës së Ftohtë. Por siç tha ish-kryeministrja britanike për liderin sovjetik: “Ne mund të bashkëpunojmë”.

Të gjithë e kujtojnë ditën kur Reagan shkoi në Berlin dhe në sfondin e Portës së Brandenburgut, që ishte prishur nga barriera e shëmtuar dhe çnjerëzore e betonit mes Lindjes dhe Perëndimit, dhe i tha: “Zoti Gorbachev, rrëzojeni këtë mur”. Ishte një nga momentet më ikonike të historisë moderne amerikane. Atë kohë pak njerëz mendonin se ishte e mundur. Në fakt, disa ndihmës të Shtëpisë së Bardhë i konsideruan komentet tepër provokuese dhe u përpoqën ta bindin Reaganin që të mos i thoshte ato. Por në fund, në një akt të madh njerëzor, Gorbachevi në mënyrë efektive e shembi atë mur.

Pas një serie të zhurmshme bisedimesh për reduktimin e kontrollit të armëve bërthamore dhe takimeve me liderët perëndimorë, Gorbachev u bë hero në Perëndim. Por ishte vendimi i tij për të mos ndërhyrë me forcë ushtarake kur shpërthyen rebelimet popullore kundër regjimeve komuniste në vendet e Traktatit të Varshavës në vitin 1989 që çoi në çlirimin e Evropës Lindore, rënien e Perdes së Hekurt, fundin e Luftës së Ftohtë dhe ribashkimin e Gjermanisë.

Një i pabesë në shtëpi

Pavarësisht se u konsiderua hero në Perëndim, në shtëpinë e tij Gorbachev u konsiderua paria. Qëllimi i tij nuk ishte shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Në shumë mënyra, dora e tij u detyrua nga dekada e kalbjes ekonomike në sistemin komunist dhe nga ndikimi shterrues i një gare të armëve bërthamore me Perëndimin.

Por në përpjekje për ta ruajtur sistemin, ai vendosi forcat për ta shkatërruar atë. Ndikimi i tij shkaktoi pasoja që mund të ndihen edhe në ditën që vdiq, me Moskën dhe Perëndimin sërish në mosmarrëveshje në stilin e Luftës së Ftohtë.

Në shtëpi, Gorbachevi kishte dy ide kryesore, glasnost (hapje) dhe perestrojka (ristrukturim). Rënia e shpejtë e Bashkimit Sovjetik, që shkaktoi copëtimin e perestrojkës, solli kushte ekstreme ekonomike, çrregullime dhe një goditje për krenarinë kombëtare. Kjo ndikoi që përfundimisht një njeri si Putini të bëhet tërheqës për shumë rusë.

Në momentin kur Gorbachevi refuzoi të dërgonte Ushtrinë e Kuqe në Evropën Lindore për të shpëtuar bllokun komunist, Putini u vendos me KGB-në në Gjermaninë Lindore dhe ndjeu thumbin e dezertimit të Moskës. Ai e shikoi rënien e Perandorisë Sovjetike si një fatkeqësi të historisë; dhe sapo Putini fitoi pushtetin, ai filloi të rivendoste prestigjin kombëtar rus të plagosur.

Kudo përveç Rusisë, ai do të mbahet mend si një nga ato figurat e rralla në histori, që me karakter dhe vizion vërtet ndryshuan botën./UBTNews/

Exit mobile version