UBT News

Pse Franca i ndaloi aplikacionet e njohura në telefonat e zyrtarëve francezë?

Nga Shiona McCallum

Gjatë muajve të fundit në mbarë botën qeveritë dhe institucionet e kanë ndaluar TikTok-un nga telefonët dhe pajisjet e zyrtarëve.

Edhe Holanda dhe Norvegjia iu bashkuan listës së shteteve që ndaluan këtë aplikacion nga pajisjet qeveritare, aplikacion ky që është nën pronësi të kompanisë kineze ByteDance.

Dhe pavarësisht insistimit të TikTok-ut se vepron i pavarur dhe nuk i ndan të dhënat me qeverinë kineze, Franca është vendi i fundit që ua ndaloi qasjen zyrtarëve të vendit. Por është gjithashtu edhe vendi i parë që bëri një lloj ndalese edhe për aplikacionet tjera sikurse: Netflix, Instagram, Candy Crush dhe Twitter.

Ndalesa që po monitorohet nga agjencia franceze kibernetike, do të prek rreth 2.5 milionë nëpunës civil.

“Aplikacionet rekreative nuk ofrojnë nivele të mjaftueshme të sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave për t’u mbajtur në mjetet digjitale të administratës. Këto aplikacione mund të përbëjnë rrezik për mbrojtjen e të dhënave të këtyre administratave dhe zyrtarëve të tyre publikë”, tha ministri i Shërbimit Civil, Stanislas Guerini.

Megjithëse tha se ka përjashtime për shkak të komunikimit institucional.

Prandaj duket që Franca, për dallim nga vendet tjera të Perëndimit, i trajton kompanitë teknologjike amerikane dhe kineze në të njëjtën mënyrë. Megjithëse, nuk është hera e parë që ka tensione në sferën e teknologjisë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Francës.

Në vitin 2019, Franca miratoi një taksë për shërbimet digjitale, pavarësisht kërcënimeve për hakmarrje nga SHBA, të cilat thanë se Franca shënjestroi në mënyrë të padrejtë gjigantët amerikanë të teknologjisë si Google dhe Facebook. Dhe që nga viti 2018, Franca ka qenë kundër ligjit të SHBA-së, Cloud Act, i cili u jep autoriteteve amerikane të zbatimit të ligjit fuqinë për të kërkuar të dhëna të ruajtura nga shumica e ofruesve kryesorë të cloud, edhe nëse ato ndodhen jashtë SHBA-së.

Ditë pas ditësh, qeveritë dhe institucionet publike po e ndalojnë TikTok-un nga pajisjet e stafit, por vendimi i Francës për të shtypur të gjitha “aplikacionet argëtuese” bie në sy dhe po vlerësohet nga aktivistët e privatësisë.

Frika rreth TikTok-ut është rritur, dhe krahas bujës, njerëzit po vënë në dyshim praktikat e privatësisë edhe të aplikacione të tjera, pavarësisht se ku ndodhen kompanitë. Dhe me gjasë duket se këtë moment aktivistët e privatësisë ka kohë që e kanë pritur.

Po shtrohen pyetje se si mblidhen dhe përdoren të dhënat nga Facebook, Instagram, Snapchat dhe madje edhe Candy Crush.

Fokusi politik është aktualisht te TikTok-u sepse kompania e saj mëmë është në Kinë, porse qeveria franceze e tha qartë se të gjitha këto kompani mediatike duhet t’iu përgjigjen disa pyetjeve./UBTNews/

Exit mobile version