UBT News

Pse fëmijët i mësojnë gjuhët e huaja më lehtë?

Mësimi i një gjuhe të re është një proces bukur i vështirë që truri e përthith më lehtë në vitet e para të jetës. Studimet kanë zbuluar se fëmijët kanë aftësi unike për të mësuar gjuhë të huaja për shkak të elasticitetit të trurit gjatë fëmijërisë e ky fenomen është i njohur si “dritarja e gjuhës.

Gjatë kësaj periudhe, truri i fëmijëve është i ndjeshëm ndaj tingujve, strukturave e rregullave gramatikore të gjuhëve të ndryshme, duke e përthithur informacionin më lehtë e kjo ndjeshmëri e trurit ndaj gjuhëve zvogëlohet gradualisht pas moshës 7-10 vjeç, dhe kjo gjë e bën më sfiduese për të rriturit që të mësojnë dhe të mbajnë mend strukturat e gjuhëve të tjera. Shumë ekspertë e shpjegojnë këtë ndryshim si një pasojë të specializimit të trurit.

Me rritjen e fëmijës, truri fokusohet në njohuritë e konsoliduara, duke zvogëluar fleksibilitetin për të përvetësuar struktura të reja gjuhësore, e një tjetër faktor që ndikon në aftësinë e fëmijëve për të mësuar gjuhë është ekspozimi intensiv ndaj stimujve të rinj dhe përvojave të ndryshme gjatë fëmijërisë.

P.sh, fëmijët që dëgjojnë dy a më shumë gjuhë që nga lindja kanë mundësi të zhvillojnë shkathtësi natyrale në të dyja gjuhët, e të rriturit duhet të ndjekin kurse të strukturuara dhe të praktikojnë intensivisht për të arritur të njëjtin nivel.

Kjo periudhë e hershme është ideale jo vetëm për mësimin e gjuhëve, por dhe zhvillimin e aftësive tjera njohëse, duke përfshirë aftësinë për të zgjidhur probleme e të menduarit kreativ. Prindërit që kanë mundësi të ekspozojnë fëmijët ndaj më shumë se një gjuhe, mund të nxisin zhvillimin e tyre gjuhësor dhe njohës.

Pas fëmijërisë, ndonëse mësimi i gjuhëve mbetet i mundur, ai kërkon më shumë përkushtim dhe përpjekje, sepse truri tashmë është adaptuar ndaj një strukture të caktuar gjuhësore dhe është më pak fleksibil ndaj të rejave. /UBT News/

 

 

 

 

Exit mobile version