UBT News

Pse duhet t’i shmangni bananet në smoothie?

Shtimi i një bananeje në një smoothie zvogëlon në mënyrë drastike përthithjen e flavanoleve të shëndetshme për zemrën – deri në 84 për qind, për shkak të enzimave që përmbajnë bananet.

Studiuesit kanë zbuluar se përzierjet vetëm me manaferra janë një mundësi shumë më e mirë për smoothie.

Përgatitja e smoothieve me manaferra të pasura me flavanole është e mirë për shëndetin e përgjithshëm, por shkencëtarët këshillojnë që duhet ta shmangni bananen në këtë kombinim smoothie frutash.

Një hulumtim më i ri sugjeron se shtimi i vetëm një bananeje mund të zvogëlojë ndjeshëm përfitimet shëndetësore të smoothieve me fruta. Një enzimë në banane zvogëlon përthithjen e flavanoleve

Shkencëtarët kanë testuar se si enzima natyrale, polifenol oksidaza, ndikojnë në aftësinë e trupit për të përthithur flavanolet. Kjo enzimë është përgjegjëse për nxirjen që ndodh kur frutat priten ose shtypen – për shembull, fetat e mollës marrin ngjyrë kafe pas prerjes ose bananet zhvillojnë njolla të errëta me kalimin e kohës.

Polifenol oksidaza gjendet në shumë lloje frutash dhe perimesh, por është veçanërisht i pranishëm te bananet.

Studimi, i udhëhequr nga studiues të Universitetit të Kalifornisë, me shkencëtarë nga Universiteti i Reading, Britani e Madhe, zbuloi se shtimi i një bananeje në smoothie me manaferra uli përthithjen e flavanoleve deri në 84 përqind.

Çfarë janë flavanolet?

Komponime natyrale të njohura për mbështetjen e shëndetit të zemrës dhe trurit. Akademia e të Ushqyerit dhe Dietologjisë rekomandon një konsum ditor prej 400-600 miligramësh flavanolësh. Mungesa e tyre, veçanërisht tek të moshuarit, shoqërohet me rënie njohëse dhe funksion të dobët kardiovaskular.

– Nëse nuk konsumohen flavanole të mjaftueshme, kjo ndikon negativisht në shëndetin kardiovaskular. Tek të moshuarit, mungesa e flavanoleve shoqërohet gjithashtu me rënie njohëse. E qartë se kemi nevojë për to, por pyetja është se si t’i marrim më mirë flavanolet nga ushqimet dhe pijet që konsumohen – thotë Gunter Kunle, profesor i të ushqyerit dhe shkencës ushqimore në Universitetin e Reading dhe bashkë-studiues i studimit.

Si e ndryshojnë përbërësit e smoothie-t përthithjen e lëndëve ushqyese?

Shkencëtarët donin të shqyrtonin, në nivel praktik, si ushqimet e përgatitja e zakonshme e vakteve, siç janë smoothiet me bazë bananeje, mund të ndikojnë në disponueshmërinë e flavanoleve që absorbohen pas një vakti.

Pjesëmarrësve iu dha një smoothie me banane dhe manaferra, një me vetëm manaferra të përziera ose një kapsulë flavanoleve. Studiuesit më pas morën mostra gjaku dhe urine për të matur nivelet e flavanoleve që në të vërtetë kalonin dhe hynin në trupat e pjesëmarrësve.

Ata zbuluan si nivelet e flavanoleve në smoothie, ashtu edhe nivelet e absorbuara nga trupi, u ulën kur përfshihej banane.

– Smoothiet janë një mënyrë popullore për të përfshirë frutat dhe perimet në rutinën tuaj të mëngjesit. Nga studimet e mëparshme e dimë që flavanolet mund të degradohen nga polifenol oksidaza. Efekti negativ i shtimit të një bananeje në smoothie është shumë i habitshëm – ajo kishte polifenol oksidazë të mjaftueshme për të shkatërruar shumicën dërrmuese të flavanoleve që gjenden në manaferra – shpjegon profesor Kunle.

Cili frut është burimi më i mirë i flavanoleve?

Flavanolet gjenden në ushqime që janë përbërës të zakonshëm në smoothie, të tilla si:

▪ mollat
▪ dardhat
▪ boronicat
▪ manaferrat
▪ rrushi
▪ kakao.

Lind pyetja nëse përzierja në një smoothie është mënyrë efikase për të marrë një burim të mjaftueshëm flavanolesh?

Dimë pak për ndërveprimet mes ushqimit e lëndëve ushqyese, nund të kenë ndikim në përthithjen e lëndëve ushqyese e substancave bioaktive siç janë flavanolet. Me këtë hulumtim, mund të tregojmë se marrja e flavanoleve ndryshon më shumë se pesë herë në varësi të kombinimit të ushqimit. Bananet janë një përbërës i shkëlqyer në smoothie sepse ofrojnë një teksturë më të këndshme, por mund të ndikojnë në përthithjen e flavanoleve – shpjegon profesor Kunle.

A janë bananet domosdoshmërisht të dëmshme dhe si të rritet konsumi i flavanoleve në smoothie?

“Për të rritur marrjen e flavanolit nga smoothiet, kombinoni frutat e pasura me flavanole si manaferrat me ushqime që kanë aktivitet të ulët të polifenol oksidazës si ananasi, portokalli, mango ose kosi”, rekomandon Profesor Kunle.

Bananet duhen anashkaluar në smoothie për të rritur marrjen e flavanoleve, por janë ende frut i shkëlqyer e luajnë rol të rëndësishëm në shumë dieta të shëndetshme – përfundon profesori Gunter Kunle nga Universiteti i Reading.

Studimi u botua në revistën “Ushqimi dhe Funksioni”.

Exit mobile version