UBT News

Pse derdhja e qumështit në lavaman është një gabim për shtëpinë tuaj?

Është diçka që shumë prej nesh e kanë bërë pa menduar dy herë, por sipas kompanive të ujësjellësit, qumështi nuk duhet kurrë të derdhet në lavaman.

Nuk ka ndjesi më të pakëndshme se kur planifikon të hash drithëra në mëngjes, hap shishen e qumështit e ndien menjëherë erën e thartë – duke kuptuar se është prishur. Shumë njerëz zgjedhin ta derdhin në lavaman, por ekspertët paralajmërojnë se kjo është një gabim.

Sipas Scottish Water, hedhja e qumështit në lavaman mund të shkaktojë probleme si për tubacionet e shtëpisë, ashtu edhe për mjedisin.

“Hedhja në lavaman është një ‘jo’ e madhe. Yndyrnat dhe proteinaT mund të ngurtësohen e të ngjiten pas mureve të tubave, duke krijuar bllokime. Këto bllokime çojnë në kthim të ujërave të ndotura, erëra të pakëndshme dhe riparime të kushtueshme hidraulike. Përveç kësaj, kur qumështi futet në sistemin e kanalizimeve, ai ul nivelin e oksigjenit në ujë, duke dëmtuar jetën ujore”, theksojnë nga kompania.

Në vend të kësaj, rekomandohet që qumështi i prishur të mos derdhet, por të përdoret ndryshe – për shembull, në kopsht. Ai mund të shtohet në kompost, ose të hollohet me ujë e të përdoret si pleh natyral për bimët.

Kompania sqaron më tej: “Nëse keni një kosh komposti, shtoni sasi të vogla qumështi të vjetër në të. Qumështi është i biodegradueshëm dhe siguron lëndë ushqyese të vlefshme për kompostin. Sigurohuni ta përzieni mirë me materiale të tjera për të shmangur erërat e këqija.”

Ndërsa për ata që kanë kopsht: “Qumështi i holluar mund të përdoret si pleh natyral. Përzieni një pjesë qumësht me katër pjesë ujë e hidhni rreth rrënjëve të bimëve. Lëndët ushqyese që përmban ndihmojnë bimët të rriten më të forta dhe më të shëndetshme.” /A.Z/UBT News/

Exit mobile version