Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur aksion simbolik pranë ndërtesës së Qeverisë në lidhje me situatën në veri dhe procesin e dialogut.
Ata në ndërtesën e Qeverisë dhe atë të Kuvendit kanë shkruar “tension për Asociacion” dhe “tension për koncesion”. Gjatë këtij aksioni pati edhe një përplasje në mes aktivistëve dhe policisë.
Zgjim Hyseni nga kjo parti para medieve tha se gjatë kohës sa kryetari i Parlamentit Glauk Konjufca në Prishtinë fliste para mediave për shtyrjen e zgjedhjeve, në veri është plagosur polici Ekrem Neziri. Sipas tij, me shtyrjen e zgjedhjeve dhe gjithë ky tensionim i shërben vetëm kryeministrit Albin Kurti.
“Si matet suksesi i ndërhyrjes policore? Me elektrizim të situatës, me likes dhe me sharje në Facebook, apo me përmbajtje më të mirë në marrëveshjet e arritura. Më 21 nëntor rreth çështjes së targave tensioni tejkaloi kufijtë deri në eskalim. Polici, heronj, sovranitet – dokrra. Me 23 kemi nënshkruar marrëveshje edhe më të dobët sesa ajo e para 2 ditëve. Pas gjithë atij tensioni, në marrëveshjen që nënshkroi Bislimi, e pranuam shtyerjen pa afat të targave, por edhe Asociacionin. E njëjta gjë ndodhi me zgjedhjet në Veri. Konjufca në Prishtinë fliste për shtyerjen e zgjedhjeve, ndërkohë në Veri me armë zjarri u plagos polici Ekrem Neziri. Nëse zgjedhjet u shtyen, kujt i shërbeu tensionimi. Kryeministrit sigurisht”, tha ai.
“Tensioni deri në situatë të jashtëzakonshme është racionalja e re e dialogut. Është mënyra e re e koncesioneve. Kur kompromisi bëhet nën tension nuk flitet më për lëshimet, por për rrezikun që i shpëtuam. Tensionet kaotike, joserioze dhe të pamenduara në veri e kanë pasur edhe një efekt. Nëse Veriun e vendit e trajton vetëm me hekur dhe kerbaç, ky është argument për formimin e Asociacionin. Kjo mënyrë e Qeverisë e ka unifikuar bashkësinë ndërkombëtare më Serbinë. Tensionet në Veri po shërbejnë si katalizator për Asociacionin”, tha ai.