UBT News

PSD me aksion simbolik për takimin Kurti–Vuçiq: Tension për Asociacionin

Partia Socialdemokrate ka mbajtur të hënën një aksion simbolik, para takimit të kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në objektin e Qeverisë aktivistët e PSD-së kanë vendosur një baner ku shkruan “Tension për Asociacionin”, e ku shihen Kurti dhe Vuçiq me dorëza boksi mbi tavolinë, ndërkohë që poshtë tavolinës “shtrëngojnë” duart.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se tensionet në veri kanë pasur një synim, formimin e Asociacionit. Sipas tij, Kurti e Vuçiqi janë dukur sikur janë në konflikt, por që në Bruksel nënshkruajnë marrëveshje.

Ai tha se është hera e parë që Kosova nënshkruan një marrëveshje, të cilën, siç tha ai, e kanë lexuar vetëm dy-tre njerëz.

“Ajo që shihet ne ilustrim është e vërteta që ka ndodhur në dialogun Kosovë-Serbi, që ka kaluar nga dialogu për marrëveshje finale në pranimin e Asociacionit. Të gjitha tensionet në veri, kanë qenë tensione për krijimin e Asociacionit. Dialog më të mbyllur, më jo demokratik më jo transparent, nuk ka pasur kurrë në Kosovë… Kurti dhe Vuçiqi gjatë gjithë kohës janë dukur se janë në konflikt, por në Bruksel kanë nënshkruar marrëveshje. Pra, neve na është jep imazhi i konfliktit, e Vuçiqit koncesioni”, tha Molliqaj. 

Exit mobile version