“Secili punëtor publik dhe familja e tij janë subjekt i hetimit nga Byroja e Partisë”, tha Partia Socialdemokrate përmes një aksioni simbolik të zhvilluar të enjten para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Aksioni i PSD-së është bërë në lidhje Byronë për konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, projektligj ky i cili sot është në rend ditë për shqyrtim të parë në seancë.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se Byroja “nuk është shtetërore por politike, e shantazhit ndaj qytetarëve të Kosovës”.
“Kjo byro nuk është byro shtetërore, kjo është byro politike e shantazhit ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kur ke për synim drejtësinë, ajo është shumë më e qartë. Me një ligj këta duan që secilin polic, ushtar, punonjës teknik në shkolla, mësimdhënës, secilin mjek, qytetar që merr në një formë apo tjetër para nga shteti i Kosovës ose ka marrë nga viti 2008 kur është shpallur pavarësia e Kosovës është i dyshuar për qeverinë e në fakt për byronë e partisë”, ka thënë Molliqaj.
Sipas Molliqajt, qeveria dëshiron të ketë instrument qeveritar ligjor për të shantazhuar kundërshtarët e tij politik dhe institucionet e pavarura.
“Çka po dëshiron të synojë partia në pushtet me këtë, as drejtësi, as luftë korrupsioni, as konfiskim të pasurisë, shtë duke dashur të ketë instrument qeveritar ligjor për të shantazhuar së pari kundërshtarët e vet politik dhe institucionet e pavarura”, ka shtuar ai.