UBT News

PSD: Kurti në Ohër mashtroi dhe konfirmoi se është dorëzuar

Anëtarët e Partisë Socialdemokrate kanë mbajtur një aksion simbolik në urën e madhe në lagjen Lakrishtë, përmes të cilit kanë kundërshtuar dakordimin e arritur në Ohër nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq.

PSD në urë vendosi pankartën me figurën e kryeministrit të Kosovë, Albin Kurti me hundë të zgjatur si “pinokio” dhe mbishkrimin “Kundër marrëveshjes, kundër mashtrimit”.

Ndërsa, po ashtu nga ky subjekt politik jo parlamentar janë ftuar qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në protestën e organizuar më 25 mars prej orës 14:00 për të kundërshtuar këtë marrëveshje.

Sekretari i PSD-së, Nol Nushi tha se hunda e gjatë e paraqitur në këtë pankartë e kryeministrit Kurti tregon rrugën e mashtrimit në raport me dialogun me Serbinë.

Ai tha se marrëveshja e dakorduar në Ohër konfirmoi se Kurti është dorëzuar.

“Është thirrje për protestën e 25 marsit që fillon në orën 14:00 tek sheshi ‘Zahir Pajaziti’, hunda e gjatë e kryeministrit Kurti është rruga e tij e gjatë e mashtrimit e popullizmit dhe gënjeshtrave të tij në raport me dialogun me Serbinë. I gjithë pushteti i tij sa ishte në opozitë ishte dialogu me Serbinë, kundërshtimi i dialogut, protestat më të mëdha kanë qenë të organizuar prej tij kundër Zajednicës kurse çka po ndodh sot është pranim i të gjitha marrëveshjeve që ka kundërshtuar dhe pranim i formimit të Zajdenicës… Marrëveshja e Ohrit na e konfirmoi se Kurti është dorëzuar protesta e së shtunës e 25 marsit në orën 14:00 është kundër kësaj marrëveshje të dëmshme por edhe kundër mashtrimit”, u shpreh ai.

Nushi ka ftuar qytetarët e Kosovës që t’u bashkangjiten në protestën e së shtunës për të kundërshtuar marrëveshjen e dakorduar mes palës serbe dhe kosovare, e cila nuk është nënshkruar.

Ai u shpreh se presin që pjesëmarrës në këtë protestë të jenë edhe anëtarë të LVV-së të cilat janë mashtruar.

“I ftojmë gjithë ata që janë kundër marrëveshjes edhe ata që kanë dilema a duhet me pranua marrëveshjen apo jo por që janë kundër mashtrimit e zotëri Kurti të dalim bashkërisht ta kundërshtojmë këtë sjellje arrogante të këtij pushteti… të protestojmë së bashku edhe kundër marrëveshjes edhe kundër mashtrimit hundëgjatit kryeministrit Kurti… pres që pjesë e protestës të jenë më së shumti anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosjes sepse ata janë më të mashtruarit. Ata e kanë votuar udhëheqësin e tyre për t’i ndal këto konsensione ndaj Serbisë dhe po del se kryeministri Kurti u deshtë me i fitua 50% pikërisht ato marrëveshje që i ka kundërshtuar”, theksoi ai.

E të shtunën më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut u takuan pala kosovare dhe ajo serbe me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-ve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Palët u pajtuan për zbatimin e ankesit të marrëveshjes sipas planit evropian. Por, kjo marrëveshje përveç dakordimit nuk është nënshkruar pas refuzimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Exit mobile version