UBT News

PSD-ja e quan “legalizim të strukturave paralele” marrëveshjen për letërnjoftimet

Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion të martën para objektit të Qeveris, duke kundërshtuar marrëveshjen e fundit për letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Me pankartën e madhe me mbishkrimin “Strukturat paralele u legalizuan, rroftë Qeveria”, PSD-ja kritikoi Qeverinë se Serbia po iu lëshon serbëve të Kosovës dokumente identifikimi, me mbishkrimin “Departamenti i Policisë për: Mitrovicë e Kosovës, Prishtinë, Pejë, etj”.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj konsideron se marrëveshja e fundit me Serbinë për letërnjoftime është e dëmshme për Kosovën.

“Dialogu Kosovë-Serbi ka pësuar goxha disa ndryshime e zhvillime, por në pjesën dërrmuese janë negative. Është hera e parë që kemi dakordim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra janë marrë vesh e nuk kanë treguar për çka janë marrë vesh, por e kanë bërë një marrëveshje që në fakt është e dëmshme sepse marrëveshja e re i ka legalizuar e i ka pranuar dokumentet e strukturave paralele të Serbisë”, tha Molliqaj. 

Me këtë marrëveshje, shtetasit e Kosovës do të mund të kalojnë nëpër Serbi me letërnjoftim të Kosovës, njëjtë edhe ata me letërnjoftime të Serbisë mund të futen në Kosovë.

Deri më tash, Kosova lejonte një mënyrë të tillë të lëvizjes, derisa Serbia në hyrje të territorit të saj pajiste shtetasit e Kosovës me një dokument të përkohshëm, pasi nuk i njihte letërnjoftimet RKS.

Exit mobile version