Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur një aktivitet para Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – MBPZhR, me ç’rast në shenjë revolte ata kanë sjellë një mjet pune “pllug”.
Frashër Krasniqi ka thënë se këtë plug e kanë sjellë për t’i treguar Qeverisë së vendit, saktësisht Ministrisë së Bujqësisë, se bujqit nuk kanë llogari për ta punuar tokën.
“Na e dimë që në kohë krize Qeveritë vendore janë për me shpërnda këtë lloj krize ose me vendosë barrën e kësaj krize në mënyrë më të barabartë për me lehtësu atë krizë. Në dy krizat e mëparshme Covid-19 dhe energjetike na e kemi pa një sjellje të Qeverisë që subvencionohen bash ata qe kanë shumë e që barra e atyre dy krizave ka rënë tek ata që kanë më së pakti. 50 deri në 60 për qind e nevojave tona mbulohen nga prodhimi vendor. Rritja për 97.8 për qind e kostos për mbjelljen e tokës ka me ul prodhimin vendor duke na ekspozu ndaj importit edhe më shumë dhe krizave ndërkombëtare”, tha Krasniqi.
Ai tha se Qeveria e Kosovës ka kohe ende qe sot me vepru. Sipas tij, në gjendjen momentale bujqit nuk kanë llogari të mbjellin tokat sivjet.
“Sot Qeveria e Kosovës e ka momentin e fundit me intervenu me politika subvencionuese për me parandalu krizën që po na vjen në vjeshtë. Bujqit sot veç janë në krizë. Qeveria e Kosovës nuk po ju rrinë afër, prandaj e kemi sjell sot plugun këtu me ja pru një paralajmërim të fundit Qeverisë së Kosovës qe nëse nuk intervenon me subvencione në bujqësi dhe emergjente, atëherë gjitha plugjet në Kosovë do mbesin të pashfrytëzuara dhe na do hymë në vjeshtë me një krizë më të madhe sa i përket çmimit të grurit”, tha Krasniqi.