UBT News

PS5 mbush pesë vjet, por ku mbeti PlayStation 6?

Më parë, gjeneratat e reja të konzolave të lojërave dilnin çdo pak vite. Sony PlayStation i parë debutoi në Mbretërinë e Bashkuar në shtator 1995, dhe pesë vjet më vonë erdhi PS2.

Por tani ritmi është ngadalësuar — dhe ndërsa PS5 shënon pesëvjetorin e saj, PS6 ende nuk duket në horizont.

Shefi i biznesit të PlayStation, Eric Lempel, tha për BBC News se arsyeja është e thjeshtë: “PS5 ka ende shumë jetë përpara. Ka shumë përmbajtje të shkëlqyer që po vjen.” Ai shtoi se kompania nuk ka ndërmend ta zëvendësojë shpejt konzolën aktuale.

Pavarësisht problemeve të furnizimit pas lansimit, PS5 ka shitur mbi 84 milionë njësi globalisht. Lempel theksoi se loja më e shitur e platformës “ende nuk është publikuar”.

Ekspertët thonë se përparimet teknologjike midis gjeneratave nuk janë më aq dramatike sa dikur, ndërsa zhvillimi i lojërave kërkon shumë më tepër kohë. Naughty Dog, për shembull, gjatë epokës së PS3 publikoi katër lojëra, ndërsa në PS5 ende asnjë.

Megjithatë, Sony ka disa projekte të mëdha në zhvillim, përfshirë Marvel’s Wolverine dhe Intergalactic nga Naughty Dog.

Sipas analistëve, kjo qasje e ngadaltë është pozitive për lojtarët: ata kanë më shumë kohë të shijojnë lojërat ekzistuese dhe përmirësimet teknike, ndërsa PS5 vazhdon të kryesojë tregun ndaj Xbox Series X/S.

Në segmentin portativ, megjithatë, Nintendo Switch mbetet në krye, si një nga konzolat më të shitura në histori. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version