Protestuesit serbë në Zveçan mëngjesin e sotëm kanë shpalosur një flamur të Serbisë, i cili ka përmasa të mëdha.
Ndërsa, edhe gjatë ditës së sotme qytetarët serbë kanë vazhduar protestat e tyre kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.
Me qëllim të shtimit të sigurisë, forcat paqeruajtëse të KFOR-it kanë vendosur tela gjemborë rreth objektit të komunës në Zveçan. Ndërsa, shihet edhe prania e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.
Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.