Qytetarë të shumtë serbë kanë protestuar sot para objektit të policisë në veri të Mitrovicës, kundër arrestimit të liderit të ‘Demokracisë serbe’, Aleksandar Arsenijeviq që ka ndodhur të mërkurën pasdite.
Ata kërkuan lirimin e menjëhershëm të Arsenijeviqit, ndërsa mbanin në duar pankarta në gjuhën serbe dhe angleze me përmbajtje “EULEX cila rregull është kjo”, “A është BE e shqetësuar”, “Veç le të shkoj me radhë” , pankartë kjo me fotografi të kryeministrit Kurti.
Protestuesit, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të “Listës serbe”, pas rreth një orë qëndrimi para objektit të policisë, janë nisur këmbë në drejtim të urës kryesore të Ibrit. Me t’u ofruar pranë njw lokali nw veri, i cili ishte i mbushur me mysafirë shqiptarë, filluan thirrjet ‘Serbia, Serbia’, duke provokuar kështu mysafirët që ishin ulur në këtë lokal, ndërsa disa prej tyre afroheshin krejt afër duke ju fishkëlluar para fytyrave. Vetëm falë reagimit të mençur të policisë, pjesëtarët e së cilës ishin rreshtuar para këtij lokali, është evituar ndonjë incident i mundur.
Protesta ka zgjatur më shumë se një orë e gjysmë dhe policia ka vëzhguar gjatë gjithë kohës situatën nga afër.