Në Tel Aviv, protestuesit izraelitë bllokuan një rrugë të mërkurën për të bërë presion ndaj qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu që të arrijë një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve me palestinezët, njofton Anadolu.
Sipas medias izraelite Channel 12, protestuesit, përfshirë të afërm të izraelitëve të mbajtur peng në Gaza, bllokuan rrugën në zonën Metzudat Ze’ev, që përfshin selinë e Partisë Likud të Netanyahut. Një pankartë e madhe mbante mbishkrimin “Kabineti i vdekjes po vret pengje”.
Protestat masive shpërthyen në Izrael që nga e diela, pas njoftimit të ushtrisë se ka gjetur trupat e gjashtë pengjeve në Gazën jugore. Hamasi ka deklaruar se pengjet u vranë në sulmet ajrore izraelite.
Izraeli vlerëson se mbi 100 pengje mbahen ende nga Hamasi në Gaza, disa prej të cilëve besohet se kanë vdekur tashmë. Përpjekjet ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti për të arritur një marrëveshje për shkëmbimin e burgosurish dhe një marrëveshje armëpushimi kanë ngecur për shkak të refuzimit të Netanyahu për të përmbushur kërkesat e Hamasit për të ndaluar luftën.
Pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar ofensivën në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor. Sulmet kanë rezultuar në më shumë se 40.800 palestinezë të vrarë dhe rreth 94.300 të plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore. Bllokada e vazhdueshme ka shkaktuar mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli përballet me akuza për gjenocid për veprimet e tij në Gaza në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë./UBTNews/